E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi H1N1, në gatishmëri për çdo rast të mundshëm

Specialistët e shëndetit publik kanë marrë masat e nevojshme për depistimin në kohë të çdo rasti të dyshuar. Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik "pandemia tashmë nuk mund të ndalet 

TIRANË- Shqipëria ndodhet e rrethuar nga vendet që janë prekur nga virusi i ri vdekjeprurës H1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit, por fatmirësisht ende pa asnjë rast të evidentuar. Maqedonia, Greqia, Mali Zi, Serbia e Greqia janë vendet që kanë konfirmuar raste me këtë lloj gripi. Pas rritjes së shkallës së rrezikut të pandemisë së virusit të gripit A (H1N1) në 6 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si dhe me shfaqjen e virusit në rajonin e Ballkanit, strukturat shëndetësore në vend kanë rritur vigjilencën e sistemit për përballimin e situatave të mundshme.
"Aktualisht në vend nuk ka asnjë rast të prekur me virusin A (H1N1), ndërkohë që janë marrë të gjitha masat në rast të shfaqjes së tij", pohoi zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sipas tij, "masat e ndërmarra nga strukturat shëndetësore nuk kanë ndryshuar, por në përputhje me rekomandimet e OBSH-së është rritur vigjilenca për kapjen në kohë të rasteve të mundshme". Ndërkohë, MSH qëndron në kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me rrjetin e Rregullores Ndërkombëtare Sanitare, me institucione të shëndetit publik europian dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit, duke përditësuar kështu të dhënat mbi situatën.
Specialistët e shëndetit publik kanë marrë masat e nevojshme për depistimin në kohë të çdo rasti të dyshuar, duke mbajtur kështu nën kontroll situatën. Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, "pandemia tashmë nuk mund të ndalet, ashtu sikurse deklaroi OBSH disa ditë më parë, por qëllimi është që të kapen në kohë rastet e mundshme në vend".
Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë tashmë qarkoren me udhëzimet përkatëse për masat e duhura, si dhe rritjen e vigjilencës. Inspektorët sanitarë në pikat e kalimit kufitar janë udhëzuar për monitorimin e rregullt të udhëtarëve, ndërsa shërbimi shëndetësor në to vazhdon përgjatë 24 orëve.
Në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (RNSH, 2005) dhe ligjit të luftës kundër sëmundjeve infektive, Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar që të gjithë udhëtarët të pyeten, nëse kanë qenë në zonat e prekura nga virusi, sipas listës bashkangjitur, e cila përditësohet vazhdimisht. Çdo inspektor sanitar, apo punonjës shëndetësor në kufi, duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë mbërritjeve të udhëtarëve dhe të vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit, sipas përkufizimit të rastit, bashkëngjitur këtij udhëzimi dhe listës së vendeve të prekura.
Por, çdo udhëtar që ka qenë në një zonë të tillë, ose ka patur kontakt me persona me probleme respiratore, duhet të vetëparaqitet pranë Inspektorit Sanitar, i cili duhet të bëjë vlerësimin e tyre. Trajtimi i të gjithë udhëtarëve bëhet nga inspektorët sanitarë, sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit.
OBSH rekomandon që çdo nëntip i ri i virusit të influencës dhe grupime të sëmundjeve të pazakonta dhe të panjohura, duhet patjetër të raportohen pranë saj. Simptomat e gripit A (H1N1) janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbje fyti, kolla, por vihet re dhe diarre.
Pavarësisht formave të lehta të virusit, OBSH thekson se gratë shatëzëna dhe personat me probleme kronike shëndetësore janë më të rrezikuar për shkak të ndërlikimeve nga virusi dhe kanë nevojë për vëzhgim konstant nëse preken nga kjo sëmundje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›