E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ nuk pranon raportin e Blushit dhe Toskës

16/02/2005  Celibashi thekson se institucionet duhet të raportojnë kur të shpallet data e zgjedhjev

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka mundur të zhvillojë dje seancën dëgjimore me ministrat Igli Toska dhe Ben Blushi, për masat e marra nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Ministria e Rendit për zgjedhjet e ardhshme. Kërkesa për raportimin e dy ministrave ishte bërë nga dy anëtarët e komisionit, Klement Zguri dhe Çlirim Gjata, por propozimi i tyre nuk ka mundur të mbledhë shumicën e votave të anëtarëve të KQZ-së. Kryetari i këtij institucioni, Ilirian Celibashi, duke kundërshtuar kërkesën e Gjatës dhe Zgurit, tha se në bazë të Kodit Zgjedhor, KQZ mund të thërrasë për të raportuar, përfaqësues të institucioneve te tjera, që kanë pergjegjësi për ecurinë e procesit, pasi të shpallet data e zgjedhjeve. "Në rast se ndonjë anëtar i komisionit kërkon të marrë informacion pranë këtyre ministrive, atëherë këto dy dikastere janë treguar të gatshme ta servirin", tha Celibashi. Komisioneri i opozitës në këtë institucion, Klement Zguri, tha se kryetari i KQZ-së, Celibashi, nuk duhet ta hedhë në votim kërkesën për thirrjen e dy ministrave për të raportuar, duke argumentuar se KQZ-ja ka të drejtë të marrë informacion mbi punën e këtyre institucioneve që kanë rezultuar problematike në zgjedhjet e kaluara. "Eshtë një precedent i rrezikshëm të hidhet në votim një kërkesë për një informacion, që ka të bëjë me strukturën zgjedhore", tha Zguri. Gjithsesi, pavarësisht kundërshtimeve, Celibashi propozoi për të hedhur në votim kërkesën e Gjatës dhe Zgurit, e cila u hodh poshtë me shumicë votash. Kërkesa për ardhjen në KQZ të dy ministrave të është bërë që më datë 8 shkurt dhe dje pritej të vinin në komision dy ministrat, Blushi dhe Toska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›