E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, gati shtyrja e mandatit për bashkiakët

16/02/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje se opozita është e gatshme të votojë amendamentet që kanë të bëjnë me zgjatjen e mandatit të të zgjedhurve lokalë. Këto deklarata lideri demokrat i bëri pas një takimi me delegacionin e Dhomës së Rajoneve të Kongresit të Pushtetit Lokal dhe Rajonal të Evropës, të kryesuar nga Yavuz Mildon. "E njohëm me preokupimin tonë kryesor, sidomos me afatet 3-vjeçare të mandatit të të zgjedhurve lokalë. Meqenëse delegacioni deklaroi se këtë shqetësim e kishte dhe qeveria, e sigurova se që nesër jemi të gatshëm të votojmë amendimin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të të zgjedhurve lokalë, sepse afati 3-vjeçar konsiderohet i shkurtër si nga ne dhe nga Kongresi i Autoriteteve Lokale", tha Berisha. Nga ana tjetër, kreu demokrat u shpreh se e ka informuar delegacionin për fazën në të cilën ndodhet decentralizimi i pushtetit lokal, si dhe për gjendjen financiare të tij. "Diskutuam për rajonizimin. Rajonizimi aktual është më shumë një rajonizim në letër dhe ne paraqitëm shifra që janë tmerrësisht akuzuese për gjendjen aktuale të pavarësisë financiare. Mjafton të rikujtoj se në rast se buxheti qendror është rritur rreth 30% nga viti 2001 në 2003, buxheti lokal është pakësuar si grant", tha Berisha. Kryetari i delegacionit, Yavuz Mildon, u shpreh se "kam ardhur personalisht si president i Dhomës së Rajoneve të Kongresit të Pushtetit Lokal dhe Rajonal të Evropës për përgatitjen e raportit të vëzhgimit të këtij procesi".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›