Topi takon Pëllumbin për zgjedhjet
16/02/2005 Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një takim me Kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, ku e ka njohur me qëndrimin e opozitës për ndarjen zonale. Burime nga PD-ja saktësojnë se kryetari i PD-së ka shprehur zyrtarisht atë çka është deklaruar dhe më parë në media, se PD-ja do të përkrahë dhe votojë në parlament vetëm variantet që propozohen nga OSBE-ja. Procesi për ndarjen e re zonale ka ngecur në vend, megjithëse afati i përcaktuar nga rekomandimet KE-së për miratimin e saj ka skaduar dje. Në këtë debat janë përfshirë thuajse të gjitha krahët e politikës shqiptare, duke e shndërruar këtë debat në temë të ditës. Vetëm para pak ditësh, gjatë vizitës së tij në Bruksel, Kryeministri Nano u angazhua për zhbllokimin e këtij procesi brenda afateve të paracaktuara. Ndërkohë, nga zhbllokimi i ndarjes së re zonale varet dhe puna e KQZ-së, e cila duhet të përgatisë infrastrukturën për zgjedhjet e ardhshme.