E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafa do të ndëshkojë 11 gjykatës të Apelit

03/04/2005  Inspektoriati i KLD-së, verifikim punës, pasurisë dhe moralit të gjyqtarëve

Raporti, gjyqësori më i korruptuar në 2004 se në 2003

Për Gjykatën e Apelit Tiranë ka përfunduar në tërësi procesi i kontrollit, duke iu përcjellë edhe materialet ministrit të Drejtësisë. Janë konstatur shkelje të rënda dhe në sitën e KLD-së janë tashmë 11 gjyqtarë, të cilët do të presin masat disiplinore. Mbi bazën e verifikimit të një ankese për vitin 2004, është pregatitur relacion për tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili së bashku me dokumentet përkatëse i është përcjellë ministrit të Drejtësisë në fillim të këtij viti. Shkeljet e këtyre gjyqtarëve janë konsideruar të rënda për vetë pozicionin që kanë patur. Në këtë gjykatë është ushtruar edhe një kontroll i përgjithshëm, ku janë konstatuar mangësi në veprimtarinë e përditshme, duke bërë më pas edhe rekomandimet përkatëse. Janë parë parregullsi në çështjet që kanë të bëjnë me njohjen e vendimeve të huaja, kryerjen dhe marrjen si provë të ekspertimit apo për ekzekutimin e vendimeve penale me burgim. Gjatë vitit 2004 është verifikuar edhe puna e gjyqtarit Vladimir Skënderi, me propozim të ministrit Fatmir Xhafa. Për vitin 2004, kontrolle të përgjithshme janë kryer në 4 gjykata, Apeli i Tiranës, Apeli i Korçës, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe ajo e Beratit. Dy prej gjykatave, ajo e Tiranës dhe Apeli i Tiranës, janë më të mëdha të vend. Për gjykatat e Shkallës së Parë ka përfunduar kontrolli fizik dhe është duke u përfunduar relacioni paraprak për veprimtarinë e tyre në periudhën kur kanë qenë objekt kontrolli. Për vitin 2005, do të shihet puna brenda gjashtë muajve në gjykatën e Sarandës, Apelit të Vlorës, në Gjykatën e Durrësit.

Ankesat

Rritet numri i ankesave të shtetasve dhe subjekteve të tjera në drejtim të gjyqësorit. Numri i ankesave të depozituara në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2004, ka qenë më i madh se ai i vitit 2003. Në këto kushte, edhe puna e 6 inspektorëve pranë këtij këshilli ka qenë më e madhe. Shifrat u bënë të njohura në mbledhjen e radhës, të kryer nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ditën e premte, në datën 2 prill.

Viti 2004

Për vitin 2004, në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, janë paraqitur për trajtim 538 ankesa nga shtetas dhe subjekte të tjera. Ndërkohë që nga viti 2003 kanë qenë të mbartura rreth 50 ankesa. Numri i ankesave për vitin 2004 ka qenë më i madh se ai i vitit të mëparshëm. Kështu dy vjet më parë kanë qenë gjithsej 391 ankesa. Shumica e ankesave ka qenë për gjyqtarët. Madje, parashtroheshin pretendime edhe për veprimtarinë e administratës gjyqësore. Për vitin e shkuar, Inspektoriati ka përfunduar verifikimin e 400 ankesave, duke lënë për vitin 2005, 108 të tilla. Në Inspektoriat ka patur edhe ankesa, të cilat janë regjistruar më shumë se një herë. Përmendim rastin e shtetasit Marketin Topallaj, që ka bërë gjashtë herë të njëjtin pretendim për gjyqësorin. Në shkresat e tyre, njerëzit kanë ngritur pretendime për shumë procese gjyqësore.

Institucionet që kanë bërë ankim kundër gjykatave

Në drejtim të Inspektoriatit kanë nisur ankesa të shumta edhe institucionet shtetërore. Në krye të renditjes është Ministria e Rendit Publik, me 81 ankesa. Në këtë adresë ka nisur pretendimet e saj dhe Konfederata e Sindikatave të Pavarura në 10 raste, Këshilli i Qarkut Dibër, 7 raste, Prokuroria e Përgjithshme, 8 raste. Nga verifikimet, Inspektoriati ka arritur të pregatisë relacione për 4 raste ndaj gjyqtarëve, veprimtaria gjyqësore e të cilëve është vlerësuar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Të gjitha relacionet më pas i janë përcjellë ministrit të Drejtësisë, për të gjykuar për procedimin disiplinor të gjyqtarëve. Ndërkohë që deri sot janë marrë masa vetëm ndaj 2 gjyqtarëve, Nazmije Pengili dhe Petrit Aliaj.

Monitorimi i gjyqësorit për disa figura penale

Gjatë vitit 2005 ka filluar monitorimi, pasqyrimi statistikor dhe verifikimi në ato raste kur është çmuar e nevojshme. Gjyqësori pritet t'i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm të inspektorëve. Është vendosur që inspektorët të bëjnë kontrollin e përditshëm, çka do të thotë se ata do të presin në korridore së bashku me familjarët për t’u futur në seancë gjyqësore. Vetëm kështu do të mund të verifikojnë ankesat e njerëzve për zvarritjet e proceseve gjyqësore dhe shtyrjet e pamotivuara të tyre. Pra, puna e inspektorëve do të shtrihet edhe më gjerë. Ata nuk do të punojnë vetëm nëpër zyra, por do të bëjnë një monitorim më të detajuar. Inspektorët do të vëzhgojnë edhe disa prej vendimeve të prishura nga gjykatat e shkallëve më të larta. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka parashikuar një plan më të gjerë veprimi për inspektorët. Kjo do të rrisë volumin e punës së tyre, që deri tani ka qenë në kufij normalë.

Vlerësimi profesional dhe moral

Një nga treguesit më të rëndësishëm në punën e gjyqtarit është edhe etika profesionale dhe ajo e sjelljes së gjyqtarit. Kontrolli ndaj këtij elementi të rëndësishëm duhet të përmirësohet, vërejnë inspektorët, pasi në përgjithësi vërehen mangësi të theksuara. Sipas inspektorëve, duhet të ketë përmirësim të kuadrit ligjor në drejtim të mjeteve ligjore. Momentalisht ekziston vetëm një dokument ligjor i etikës së gjyqtarit, që është Kodi i Etikës Gjyqësore, i miratuar nga Konferenca Gjyqësore. Inspektorët mendojnë se është e nevojshme krijimi i një Kodi Etike zyrtar për gjyqtarët. Në këtë kod duhet të disiplinohen rregullat për secilin gjyqtar dhe të administratës. Vlerësimi moral gjatë vitit 2004 dhe ai profesional, nuk është bërë për shkak se KLD-ja vendosi që sistemi i mëparshëm, ai i marrjes në provim, të ndryshojë dhe të përmirësohet në bazë të rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Evropës.

Pasuritë e gjykatësve do të verifikohen nga inspektorët

Një tjetër detyrë që i është ngarkuar me ligj inspektorëve është edhe verifikimi i çështjeve që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurive nga gjyqtarët. Për verifikimin e pasurive të gjyqtarëve është organi i vetëm, Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive. Por, inspektorët shprehen se në përmbushje të detyrimit ligjor, KLD-ja së bashku me IDP-në kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Sipas inspektorëve, ky bashkëpunim është në faza fillestare. Nga ana e Inspektoriatit është bërë i pari verifikim në këtë drejtim. Ankesat e shumta që kanë ardhur në drejtim të gjyqtarit të Sarandës, Petrit Aliaj, kanë detyruar inspektorët të kryejnë verifikimin e pasurisë së tij. Petrit Aliaj nuk e kishte deklaruar pasurinë të plotë dhe në përputhje me ligjin. Pasi u bë verifikimi i pasurisë së këtij gjyqtari, në kuadër të punës së tij iu përcoll si informacion ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa. Menjëherë ndaj tij u morën masa, duke parë se pasuria ishte më e madhe dhe e vënë gjatë kohës që punonte si gjyqtar në Sarandë.

Emrat e inspektorëve dhe numri i ankesave të marra

Mine Progonati, ka marrë për verifikim 88 ankesa, nga të cilat ka përfunduar 78

Luan Dervishi, ka marrë për verifikim 69 ankesa, nga të cilat ka përfunduar 54

Kudret Kopo, ka marrë për verifikim 52 ankesa, ka përfunduar 25

Urim Bejleri, ka marrë për verifikim 54 ankesa, ka përfunduar 38

Izet Salaj, ka marrë për verifikim 66 ankesa, ka përfunduar 40

Astrit Faqolli, ka marrë për verifikim 85 ankesa, ka përfunduar 71

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›