E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS përshëndet deklaratën e Withers

Partia Socialiste e përshëndeti dje deklaratën e ambasadorit amerikan, John Withers, dhe vlerëson të drejtën e çdo shqiptari për të votuar në mënyrë të lirë e të ndershme, si përcaktuese për të ardhmen e gjeneratave që do të vijnë. Tri ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Socialiste tregohet e vendosur për të mbrojtur votën. Në një komunikim me mediat, anëtarja e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli, bëri të ditur se kush guxon të manipulojë do të përballet me ligjin. "Për të gjithë ata që do të tentojnë të ushtrojnë presion mbi votuesit, mesazhi ynë është shumë i qartë: Do të dështoni dhe në 29 qershor do të përballeni me ligjin. Partia Socialiste është plotësisht e përgatitur për të ruajtur çdo votë. Ne po vëzhgojmë me shumë kujdes dhe mbarë bota i ka drejtuar sytë nga ne", tha Nikolli, duke theksuar se rëndësia e zgjedhjeve të 28 qershorit është aq e madhe sa askush, asnjë subjekt politik e asnjë individ nuk do të lejohet të ushtrojë presion mbi votuesit apo të manipulojë rezultatin.
"Partia Socialiste dëshiron t‘u kujtojë të gjithë votuesve shqiptarë se askush nuk mund të ushtrojë presion mbi ju për të votuar për një parti të caktuar dhe askush nuk mund t‘ju kërkojë prova për votën dhe zgjedhjen tuaj. Akte të tilla janë të jashtëligjshme, duhet të raportohen dhe do të raportohen", nënvizoi anëtarja e kryesisë. Ndaj ajo i bëri thirrje çdo partie politike dhe çdo votuesi të tregojë se Shqipëria është gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›