KQZ pritet të përcaktojë sot datën e rivotimeve
PRISHTINE- KQZ pritet që të përcaktojë sot, datën e mbajtjes së rivotimeve në dy komuna, Prizren dhe Lipjan dhe rinumërimit në një komunë tjetër, në Gjilan.Në veçanti, nisja e procesit të rinumërimit të votave në Gjilan, do të mund të hap rrugën për marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë komunë, qoftë të pranimit të rezultatit, qoftë të rivotimit.Rinumërimi i votave në Gjilan, që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha në mes partnerëve të koalicionit qeverisës, është vendosur me shumicë votash në KQZ, përkundër rekomandimeve të Komisionit Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave dhe sugjerimeve të ambasadës së SHBA-së për rivotim edhe në këtë komunë.Analistët në Kosovë thonë se i gjithë procesi i zgjedhjeve komunale ishte i përcjellur me një varg dështimesh jo vetëm nga organizatorët e tyre por edhe nga vetë subjektet politike.Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë riformatim të qeverisë.Ai ka lënë të kuptohet se do të ketë zëvendësim të anëtarëve të kabinetit qeveritar nga të dyja partitë në koalicion.Megjithatë ndryshimet e paralajmëruara në qeveri nuk pritet të ndodhin para përfundimit të rivotimit në Prizren dhe Lipjan dhe eventialisht në Gjilan, ku në garë janë kandidatë të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.Procesi zgjedhor i nisur në nëntor të këtij viti, ka pak gjasa që të përmbyllet edhe brenda muajit janar të vitit të ardhshëm duke pamundësuar konstituimin e të paktën tri komunave në Kosovë. (bbc/BalkanWeb)