E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i “Tirana Bank”:Nëse kreditojmë, ulim impaktin e krizës

 Fatos çoçoli"Nëse kreditojmë, impakti i krizës do të ndihet më lehtë." Për kreun e "Tirana Bank", financimi është çelësi i daljes nga vorbulla e krizës. Në një intervistë për gazetën, Dimitris Santixis, Drejtor i Përgjithshëm i "Tirana Bank", anëtare e Grupit Bankar të Pireut, thekson edhe surprizat e sistemit. "Mendoj se me kalimin e kohës do të ndodhin ndryshime në sistemin bankar këtu. Besoj se disa banka do të tërhiqen dhe klientët duhet ta marrin këtë parasysh, ndërsa vendosin një marrëdhënie me një bankë. është e paevitueshme."Z. Santixis, a mendoni se blerja e kredisë ka përfunduar në Shqipëri? Nuk e di nëse kemi pasur ndonjëherë ndonjë blerje kredie të mirëfilltë. Në bankën "Tirana Bank", ne vijojmë të japim hua. Nuk jemi ndalur kurrë. Nuk i kemi detyruar kurrë sipërmarrësit të likuidojnë pozicionet dhe borxhet e tyre. Megjithatë, është e vërtetë që disa banka janë më shumë konservatore në kreditim. Ne japim reklama për të dhënë hua dhe duam t'u japim kredi bizneseve dhe individëve.  Në vitin 2009, ju dhatë një kredi prej 25 milionë euro për të ndërtuar "City Park" dhe 15 milionë euro për Megatec. Do ta rrisni kredinë edhe këtë vit?Do të vijojmë në mënyrë agresive të japim hua këtë vit. Besojmë se ekonomia shqiptare ka nevojë për mbështetje, sepse do të jetë një vit i vështirë. Nëse kreditojmë, impakti i krizës do të ndihet më lehtë. Ne jemi mjaft të fortë si Grup Bankar. Kemi një strategji për të gjitha vendet e Ballkanit dhe e mbështesim këtë strategji. Në Shqipëri ne jemi madje edhe më të fortë, jemi me fitim dhe kemi shumë likuiditete. çështja e vetme është të kemi projekte të mira për të financuar dhe jo thjesht çdo lloj ideje. I konsideroni turizmin dhe bujqësinë si sektorë të duhur për të investuar në vend, krahas ndërtimit?Ka shanse për të investuar në Shqipëri. Me kalimin e viteve, ekonomia shqiptare duhet ta ndryshojë drejtimin e saj. Ajo nuk mund të jetë më një ekonomi që varet gati tërësisht nga ndërtimi dhe dërgesat e emigrantëve. Në mënyrë të pashmangshme do të kalojë tek energjia, turizmi dhe bujqësia. Unë besoj se këto janë shanset për ekonominë shqiptare. Megjithatë, nuk mund të themi se turizmi dhe bujqësia janë të menjëhershëm. Do të kërkojë njëfarë kohe. Megjithatë, dy ditë më parë fola me një sipërmarrës dhe më tha se është i interesuar për të bërë një investim të madh bujqësor. Për turizmin, kemi nevojë për infrastrukturën që të jetë vendosur. Me qëllim që të rritet turizmi në jug të Vlorës, na duhen rrugë. Njëra sjell tjetrën. Ka nevojë për pak kohë që të ndodhin këto gjëra.  Përmendët energjinë. është ky sektori më tërheqës për momentin?       Sektori energjetik është shumë tërheqës. Vendi ka ujëra, male. Mund të keni edhe energji diellore, energji të erës. Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen. E ardhmja është e gjelbërt, sikurse thuhet. Kjo nënkupton forma të tjera të energjisë që nuk janë veçse naftë. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria është me fat dhe duhet ta zhvillojë këtë shans sa më shumë.    A janë kreditë e këqija një problem për sistemin bankar?    Kreditë e këqija u rritën dukshëm gjatë vitit 2009. Për disa banka më shumë, për disa të tjera më pak. Ato paraqesin një lloj rreziku, por nuk mendoj se është një rrezik madhor për sistemin bankar. Në një mënyrë ose në një tjetër, pjesa më e madhe e bankave në Shqipëri janë ndërkombëtare. Kompanitë e tyre mëma në tërësi i mbështesin investimet e tyre në Shqipëri. Sidoqoftë, kreditë e këqija kanë dhe një tjetër impakt. Kur një bankë ka një protofol problematik huash të dhëna, ajo bëhet më konservatore në kreditim. Në vitin 2009, kreditë tona të këqija nuk u rritën, përkundrazi ato u ulën. Prandaj dhe ne kemi mundësinë të japim hua. Megjithatë, ka probleme në sistemin bankar. Ne i shikojmë këto probleme tek sipërmarrës të ndryshëm, madje edhe emra shumë të dëgjuar, që po përballen me probleme likuiditeti. Ne duhet ta vlerësojmë këtë dhe të shohim se çfarë duhet bërë. A mendoni se bankat mund ta ndihmojnë më shumë zhvillimin ekonomik të vendit sot?Po. Unë besoj se krijimi i një Fondi Privat të Kapitaleve është shumë i rëndësishëm për vendin. Ne si "Tirana Bank" kishim deri tani disa fonde kapitalesh që ndihmuan. Mirëpo këto ishin fonde kryesisht të lidhura me institucionet e huaja. Ne po planifikojmë të krijojmë një fond kapitalesh, i cili do të jetë fondi i parë privat i kapitaleve në vend. Qëllimi i fondit do të jetë të investojë në projekte të ndryshme që kanë një vlerë të konsiderueshme, ose në mundësi investimi që mund të rrjedhin prej të gjitha ngjarjeve që do të ndodhin këtë vit. Ky vit do të ketë ngjarje. Ndodhi të mira dhe të këqija. Kështu që shanset do të jenë. E vjetra vdes dhe i lë vend të resë që të nisë dhe të lulëzojë. është si me qelizat e trupit tonë. Kjo është e shumë e shëndetshme për ekonominë. Biznese të reja do të krijohen dhe ekonomia shqiptare do të bëhet gjithnjë e më mirë. Shqipëria si vend do të avancojë. është shumë e rëndësishme të jesh gati dhe të kesh instrumente të tilla, si fondi privat i kapitaleve për të mbështetur rritjen. Në ditët tona nuk është e mjaftueshme vetëm të japësh para hua, por gjithashtu të kesh partneritete me biznese të mira dhe një mundësi të ndihmosh projekte që kanë nevojë për ndihmë.  A është në këtë moment biznesi shqiptar i përshtatshëm për partneritete?është një çështje mendësie. Mendësia duhet trajnuar. Ndjej që shqiptarët, njëlloj si grekët, janë lloj njerëzish të vetmuar. Kanë qenë mësuar të ishin me veten e tyre, me qëllim që të kontrollonin situatën. Kjo është pasiguri dhe mungesë besimi. E kuptoj këtë shumë mirë. Por me kalimin e kohës, kjo domosdoshmërisht do të ndryshojë. Edhe bursa që do të nisë shpejt apo vonë do të ndihmojë për këtë. Sepse kompanitë në bursë duhet të jenë shoqëri anonime. Pra grupim shoqërish dhe jo shoqëri individuale, kështu që partneritetet do të vijnë. Fondi i kapitaleve përputhet me këtë drejtim të ri dhe me ndryshimet që do të ndodhin. Kjo do të ndihmojë për të ndryshuar mendësinë. Përpjekje për të themeluar fonde private kapitalesh janë bërë dhe në të kaluarën. Përse mendoni se tani është ajo e duhura? Kemi nevojë të shohim këtë që të ndodhë. Nuk duam që paratë t'i fusim vetëm ne në këtë fond. Duhet që investuesit shqiptarë të fusin paratë e tyre po ashtu. "Tirana Bank" do të fusë 20 për qind të fondeve, për të treguar përkushtimin e saj. Kjo nënkupton që ne i vendosim paratë aty ku është shtëpia jonë, thonë grekët. Pra jemi tërësisht seriozë dhe të përkushtuar. Suksesi i fondit do të varet nga vullneti që ne kemi për të bërë gjëra dhe për të ndihmuar projekte në një mënyrë të re. Dua ta theksoj fjalën "e re", sepse kredia e stilit të vjetër në kohë krizash nuk është e mjaftueshme. Unë besoj se financimi me zotërim, me pjesëmarrje në një kompani, me blerje të kompanisë është një financim inovativ, i ri. Duhet të jesh mjaft fleksibël dhe ta kuptosh këtë produkt, financimin me blerje, që ta kryesh. Ndryshe je i frikësuar, nuk di se si do të jetë kolaterali, nuk di si ta përballosh situatën dhe përfundon duke mos e bërë. Mendoj se kohët e fundit ne jemi duke e bërë këtë gjë shpesh dhe besoj fort se ky produkt do të jetë e ardhmja e ndritur e shërbimit bankar modern në vend. 2010-a mund të jetë viti i marrëdhënieve të financimit me blerje për Shqipërinë.   Në tërësi, si e shikoni të ardhmen e sistemit bankar në vend? Mendoj se kemi shumë banka në Shqipëri. Shqipëria është një vend me 3 milionë banorë dhe ka 16 banka. Greqia është një vend me 11 milionë banorë dhe nuk ka kaq banka. Mendoj se me kalimin e kohës do të ndodhin ndryshime në sistemin bankar këtu. Besoj se disa banka do të tërhiqen dhe klientët duhet ta marrin këtë parasysh, ndërsa vendosin një marrëdhënie me një bankë. është e paevitueshme. Ndoshta do të ketë disa bashkime, shkrirje, që mund të vijnë nga bashkimet dhe shkrirjet në bankat mëma dhe do të ketë një impakt në Shqipëri. Përfundimisht, sistemi do të jetë më i përqendruar në të ardhmen dhe madje edhe më i shëndoshë. Kjo do të jetë e mirë për vendin. Kohët e fundit, opinioni publik shqiptar u informua se Banka Evropiane e Investimeve (BEI) i dha për herë të parë një hua me terma të butë një banke private, në mënyrë që kjo e fundit të ndihmojë sektorin e SME-ve në vend. Përse EIB ju zgjodhi ju si bankë?Besimi që EIB tregoi për ne ka të bëjë me fuqinë financiare të bankës sonë në vend. Në këtë drejtim, shëndeti i bankave në Shqipëri është shumë i rëndësishëm për lëvizjet e reja që EIB mund të bëje. Ne, si Grupi Bankar i Pireut kemi një prani në Ballkan dhe nënshkruam dje një marrëveshje globale me EIB për 120 milionë euro, e cila mbulon të gjitha vendet e Ballkanit ku ne jemi të pranishëm. Shqipëria është pjesë e kësaj marrëveshjeje.  Cila është gjeografia e Grupit tuaj Bankar në Ballkan?Ne jemi të pranishëm në Shqipëri, Bullgari, Rumani dhe Serbi. Planifikojmë të shtrihemi në Kosovë. Mund t'ju informoj që në Kosovë nuk do të jetë Grupi Bankar i Pireut. Për faktin që ky Grup i beson "Tirana Bank", do të jetë zgjerim i "Tirana Bank" në Kosovë. Do të ndodhë shumë shpejt.     Cila është forca juaj lëvizëse në punën tuaj në vend?"Tirana Bank" në thelb është tërësisht një bankë shqiptare. Jemi 455 vetë që punojmë në bankë dhe vetëm dy drejtues janë grekë. Nga ana tjetër, huatë që japim nuk janë për kompani greke. Më shumë se 95 për qind e tyre shkon për kompanitë shqiptare. Nuk është se Grupi Bankar i Pireut krijoi një bankë për të financuar kompanitë greke. Ai hapi një bankë për të punuar me sipërmarrës shqiptarë dhe për të mbështetur ekonominë shqiptare. Ne besojmë në ekonominë shqiptare dhe e kemi provuar këtë duke financuar "City Park" dhe "Megatec". Kemi edhe shumë projekte të tjera. Ja përse jemi banka e dytë më e madhe në Shqipëri në lidhje me sasinë e kredive të dhëna. Pozicioni që marrim në kreditim është për shkak të shikimit pozitiv që ne kemi se vendi do të bëhet përherë e më mirë me kalimin e kohës. Kjo është koha kur do të përballohet me disa vështirësi. Kjo është absolutisht gjë normale. Ju do duhet të kaloni disa vështirësi dhe të rriteni. Ne besojmë se Shqipëria do të shkojë në këtë rrugë dhe e mbështesim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›