KQZ rrëzoi sot ankimimin e PDI-së për Fierin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rrëzoi sot në mesditë ankimimin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), e cila kërkonte shpalljen të pavlefshëm të rezultatit zgjedhor në disa qendra votimi në Qarkun Fier. Ndonëse ankesa e PDI-së mori shumicat e votave të Komisionit (4 vota pro), ajo nuk u pranua pasi sipas Kodit Zgjedhor, që të konsiderohej e miratuar, i duhej të merrte pesë vota të anëtarëve të KQZ-së. Në shqyrtimin e kësaj ankese të dy palët u ndanë në qëndrimet e tyre. Ndërsa përfaqësuesit e PS-së u shprehën kundër shqyrtimit të ankimimit të PDI-së, pasi ajo ishte paraqitur në Komision jashtë afateve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor, përfaqësuesit e PD-së e gjykuan kërkesën korrekte dhe të bazuar në ligj. Objekti i ankimimit të PDI-së ishte shpallja e pavleshme e zgjedhjeve në disa qendra votimi të zonës zgjedhore Fier me nr. 3185, 3188 dhe 3196 të KZAZ-së nr. 20 dhe në QV-në 3006 të KZAZ-së nr.18. Një javë më parë KQZ pranoi kërkesën ankimore të PS-së për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të qarkut Fier. Pas rinumërimit në KQZ të disa kutive tabela e rezultateve për këtë Qark ndryshoi ,duke i dhënë një mandat PS-së, (nga 8 në 9 mandate). Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit PDI konkuroi si pjesë e koalicionit të djathtë "Aleanca e Ndryshimit". Ajo është fituese e një mandati në Qarkun e Vlorës, ku kandidat fitues u shpall Dashamir Tahiri.
...