KQZ rrëzon ankesën e PS kundër të huajve në PD
02/06/2005 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për të ndërprerë pjesëmarrjen e të huajve në fushatën zgjedhore të partive, duke kërkuar penalizimin e PD-së. Me shumicë votash, anëtarët e KQZ-së kanë hedhur poshtë këtë kërkesë, duke e argumentuar se pjesëmarrja e në huajve në fushatat zgjedhore nuk përbën shkelje, pasi ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata. Ankimimi i PS-së ka ardhur pas pjesëmarrjes së këshilltarëve amerikanë në fushatën e Partisë Demokratike, ku, sipas socialistëve, kjo gjë bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Sipas kreut të KQZ-së, Ilirian Celibashi, “ankesa e Partisë Socialiste nuk është e vlefshme, pasi në kohën kur ajo është depozituar, PS-ja nuk ka qenë e regjistruar si subjekt pranë këtij institucioni. Gjithashtu, KQZ-ja ka vlerësuar se puna e këtij institucioni në lidhje me fushatat e subjekteve politike fillon me datën 3 qershor, kur nis zyrtarisht hapja e fushatave”. Duke iu referuar nenit 134 të kodit zgjedhor, pika 5, e tij tekson se “ndalohet propaganda në favor ose kundër një kandidati ose subjekti tjetër zgjedhor nga ana e të huajve”, kjo për periudhën e fushatës zgjedhore. Ndërkohë që na ndan vetëm një ditë nga fillimi zyrtarisht i fushatës zgjedhore, atëherë kodi zgjedhor dhe kushtetuta e Shqipërisë do të mund të veprojnë për të gjitha shkeljet që subjektet politike apo kandidatët mund të bëjnë gjatë 30 ditëve të kësaj fushate.