E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS: Nuk ka fonde për kandidatët

02/06/2005  Financimet e Buxhetit të Shtetit do të përdoren për vëzhguesit dhe për posterat e Partisë

Socialistët nuk lejohen të shpenzojnë më shumë se 1.7 milionë lekë

Partia Socialiste nuk do t'i japë fonde, që do merren nga buxheti i shtetit, kandidatëve të saj për deputetë për të zhvilluar fushatën elektorale. Sipas kryefinancierit Shpëtim Kaçi, në këtë parti fondi i akorduar nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve në adresë të subjektit të Partisë Socialiste do të përdoret për të prodhuar posterat dhe të gjitha materialet e nevojshme për fushatën, si dhe për të paguar vëzhguesit, që kjo parti do të ketë në zgjedhje. Financimet që do të përdorin individualisht të 100 kandidatët e PS-së për 30 ditët e fushatës elektorale duket se do të dalin nga mundësitë personale të gjithësecilit, si dhe nga dhuratat që do t'u ofrohen nga dashamirës të ndryshëm. Ndërkohë, me një vendim të kryesisë socialiste të disa javëve më parë, të gjithë kandidatëve u është vënë një kufi shpenzimesh për fushatën. Shuma që ata duhet të shpenzojnë është deri në 1.7 milionë lekë dhe të gjitha financimet duhet të deklarohen në një formular, që do të dorëzohet në KQZ.

Financat

Materialet elektorale të çdo kandidati për deputet do të bazohen në mundësitë personale. Posterat personale, si kapelet, bluzat, çakmakët, stilolapsa me emrin e kandidatit, fletëpalosjet, qiratë e zyrave elektorale, kafe si dhe shpenzimet e tjera, si makinat, karburantet etj., do të mbulohen nga financat vetjake të kandidatëve. Nga partia, kandidatët do të gëzojnë mbështetje për posterat gjigandë, që partia do t'i vëjë në dispozicion gjatë organizimit të mitingjeve. Nga fondi që PS-ja ka marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ajo do ta menazhojë për të paguar të gjithë vëzhguesit e saj nëpër qendrat e votimit si dhe në KZZ. Në këtë fond do të përfshihen dhe komisionerët, që pritet të marrin pagë shtesë, veç asaj që do të marrin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kandidatët

Në respektim të kodit zgjedhor për financat, kandidatëve të PS-së u është kërkuar që të pasqyrojnë të gjitha “dhuratat”, që do të marrin gjatë fushatës elektorale. Të gjitha fondet që do të shpenzohen në fushatë duhet të bëhen transparente. Ndërsa, sipas ligjeve shqiptare, vetëm kandidatët për deputetë, që do të fitojnë mandatin e deputetit, do të mund të kontrollohen nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Ndërsa institucioni i KQZ-së do të bëjë procesverbalet financiare të të gjithë kandidatëve për deputetë edhe të atyre që nuk do të dalin fitues nga zgjedhjet e 3 korrikut. Gjithsesi, kandidatëve për deputetë të PS-së u është bërë e qartë se nga strukturat e partisë do të hetohet çdo fond i dyshimtë, që do të marrin për të zhvilluar fushatën. Kjo për të mos implikuar figurën e tyre si kandidatë dhe në rast fitoreje si deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›