Nano libra falas për nxënësit
02/06/2005 Kryeministri Fatos Nano i ka premtuar libra falas të gjithë nxënësve të sistemit 9-vjeçar në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, në seancën plenare të organizuar nga Parlamenti Rinor, në sallën e parlamentit, Nano u shpreh se “jam i gatshëm të punoj me ju, në emër të politikave të orientuara nga e ardhmja, që të ndërpresim dhe të çojmë drejt shuarjes numrin e fëmijëve që braktisin shkollat, në mënyrë që të ketë vërtet cilësi, kushte, mjete didaktike të kohës dhe komunikim të lirë dhe informacion global në dobi të mësimit tuaj, të kulturës dhe formimit që ju merrni, si investim për jetën tuaj të ardhme në këtë moshe”. Sipas kreut të ekezekutivit shqiptar, “do të ndiqen politika lehtësimi për kostot e edukimit dhe të formimit kulturor, me libra falas për gjithë arsimin 9-vjeçar, me më shumë mjedise shkollore të standardeve evropiane, laboratorë informatike, apo të shkencave natyrore, ku natyrisht edhe ju duhet të përfitoni në çdo shkollë mundësinë për të lundruar në ekonominë globale të dijes, me internet, më shumë biblioteka dhe patjetër më shumë palestra, lëvizje sportive dhe rikrijuese, përtëritëse të aftësive të trurit dhe të trupit, pra fizike dhe shpirtërore”. Ne po marrim të gjitha masat që kur ju të bëheni maturantë, të jenë të hapura të gjitha dyert e universiteteve, që ju të vazhdoni arsimin e lartë, i cili gjithashtu do përjetojë ndryshime të thella cilësore, të cilat do ta bëjnë më përfaqësuese diplomën që ju synoni qysh sot. Ne do të stimulojmë nxënësit dhe studentët e shkëlqyer me më shumë bursa dhe mundësi për të studiuar në universitetet më të mira të vendit dhe të botës.