E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Bashkë me demokratët më 2011

15/07/2009  Drejtuesit e LSI zbardhin marrëveshjen me PD

“PS s’është e gatshme për pushtet, ende shumë e korruptuar”

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike do të jenë në një aleancë të përbashkët në garën elektorale të vitit 2011 për pushtetin vendor. Një fakt i tillë u bë dje me dije nga nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Dritan Prifti. Gjatë një interviste televizive kandidati për deputet i kësaj partie Dritan Prifti, i cili ka garantuar mandatin e tij për në kuvendin e ri në bazë të rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, zbardhi një nga pikat e draftit mbi të cilin bazohet aleanca mes LSI-së dhe PD-së, që lidhet sërish me një garë elektorale, por kësaj radhe për zgjedhjet lokale të vitit 2011. “Ne e kemi fiksuar bashkë në këtë marrëveshje, në draftin e formuluar, se do të futemi bashkë për zgjedhjet vendore më 2011-n. Kjo nuk është firmosur akoma, por është pranuar nga palët për të qenë pikë e marrëveshjes së përbashkët”, - vuri në dukje Prifti gjatë fjalës së tij sa i takon një çështje të tillë. Ndërkohë ai nuk harroi të bënte dhe një thirrje për të gjithë socialistët. “Dua t’u them atyre që janë akoma në PS se, nëse duan të rikthehen ndonjëherë në pushtet dhe të bashkëpunojnë me LSI-në, kjo nuk mund të ndodhë me Edi Ramën, ai duhet të largohet për të mirën e të gjithë socialistëve”, - u shpreh Prifti. Njëkohësisht nënkryetari i LSI-së shigjetoi ashpër lidershipin e PS-së. Në gjykimin e tij kjo parti nuk është ende e gatshme për të ardhur në pushtet. Duke dhënë arsyet se ku bazohej një gjykim i tillë, Prifti vlerësoi se “Partia Socialiste është akoma shumë e korruptuar, e pistë, akoma me një intrigë të pashoqe brenda vetes, është akoma një parti jo e gatshme për të marrë në dorë drejtimin e vendit. Ajo është një forcë politike drejtuesit e së cilës janë zhytur në korrupsion, janë pjesë të instrumenteve të errëta të politikës shqiptare, për të mos thënë pjesë të grupeve mafioze”. Sipas tij, Partisë Socialiste për t’u pastruar i duhen të paktën 4 vjet në opozitë për t’i shkëputur një herë e mirë lidhjet nga grupet e errëta kriminale që e financojnë atë, që e drejtojnë politikën e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›