E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ rrit kërkesën për fonde në procesin e zgjedhjeve

23/02/2005  Duhen dhe 359 milionë lekë për të përballuar fushatën elektorale

Komisioni Qendror Zgjedhjeve, duke konsideruar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor sjellin shpenzime të paparashikuara, ka përgatitur një projekt-buxhet për strukturën e ndryshuar të shpenzimeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë së vitit 2005. Shuma që Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në dispozicion për administrimin e zgjedhjeve është 577 milionë lekë, por ndryshimet në kuadrin ligjor të zgjedhjeve kërkojnë të reflektohet një shtesë në strukturën e shpenzimeve buxhetore. KQZ vlerësoi se shtesa në dokumentacionin zgjedhor, pagesa e grupeve të numërimit, blerja e kutive të reja të votimit, mjediset ku do të kryhet numërimi i votave, transporti i materialeve zgjedhore, kërkon një buxhet shtesë prej 359 milionë lekësh. KQZ miratoi strukturën e shpenzimeve buxhetore në shumën 936 milionë lekë. Ndërsa është bërë e ditur se 31 milionë lekë të reja duhet të rikthehen prej 26 partive brenda datës 26 mars. Duhen 3 milionë fletëvotimi për kandidatët, 3 milionë fletëvotimi për subjektet 10.500 kuti votimi të reja me një çmim total prej 58 milionë lekë, pagesa e grupeve të numërimit, qira për 100 ambiente të mëdha për numërimin e votave, transport shtesë për materialet zgjedhore nga KZZ në qendrat e votimit dhe anasjelltas. Vendimi i Komisionit të Zgjedhjeve për shtimin e fondit për zgjedhjet ka ardhur si shkak i ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor në procesin e numërimit të votave si dhe në ndryshimin e formatit të fletëve të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›