E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkesa e Garulit

23/02/2005  Të financohet ardhja e emigrantëve për votime

Partia Republikane deklaron se do të ndërmarrë një nismë në parlament për miratimin e projektligjit për votimin e emigrantëve, duke përshëndetur qëndrimin e Presidentit të Republikës. Sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Alkesandër Garuli, tha dje se në këtë projektligj një pikë e rëndësishme e tij është financimi nga shteti i udhëtimit të emigrantëve drejt Shqipërisë për të votuar. "Partia Republikane do të iniciojë në parlament projektligjin, ku një pikë e rëndësishme është financimi nga shteti i udhëtimi të tyre për në atdhe. Duke përshëndetur deklaratën e Presidentit për këtë problem, theksojmë se nuk pajtohemi me qëndrimin evaziv të tij, i cili deklaroi se, nëse e drejta e votimit të emigrantëve nuk realizohet në zgjedhjet e 2005, të realizohet në zgjedhjet e tjera. Ne mendojmë se, nëse Presidenti i Republikës e gjykon si të drejtë themelore votimin e një të tretës së shqiptarëve, nuk duhet të tërhiqet dhe ta spostojë këtë të drejtë në kohë të pacaktuar. Por si kreu i shtetit duhet të përdorë autoritetin e tij dhe të realizojë në praktikë votimin e emigrantëve që në zgjedhjet e 2005, duke mbështetur dhe dekretuar projektin që republikanët do të paraqesin në parlament", tha Garuli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›