E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, sherr për listën e vëzhguesve vendorë, deputetët pjesë e monitorimit

Miratimi i listës së Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë ka qenë objekti i sherrit të radhës në mbledhje e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi një pjesë e vëzhguesve figurojnë në listat e kandidatëve për deputet. Ndërkaq, miratimi i listës së vëzhguesve, u shty edhe sepse njëra prej shoqatave të këtij koalicioni paraqitej si koalicion i shumë shoqatave, por pa paraqitur në KQZ një akt që vërtetonte që shoqatat e përfshira të ishin në këtë grupim. Pak ditë më parë, në bazë të nenit 21, pika 1 dhe nenit 6 pika 2, 4 dhe 5 të Kodit Zgjedhor, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili është një koalicion i përbërë nga 4 OJF, ka paraqitur një kërkesë për akreditimin e 174 vëzhguesve afatgjatë dhe pritet që të paraqesin edhe një shkresë tjetër për akreditimin e 2500 vëzhguesve afatshkurtër. Por, me gjithë problemet e mësipërme, disa nga këto subjekte kishin edhe mangësi të tjera në dokumentacion, gjë që bie ndesh me Kodin Zgjedhor. Kështu, nga 7 OJF që në formën e një koalicioni monitorues, drejtuar nga Drita Meta, kanë depozituar në KQZ kërkesën për vëzhgimin e zgjedhjeve, vetëm 4 prej tyre ekzistonin të regjistruara në gjykatë. Ndërsa lidhur me kërkesën për akreditimin e listës së Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, sipas ligjit, Ristani tha se ata duhet të kishin dokumentacionin e identifikimit, bazuar në standardet aktuale; ose pasaportën, kartën e identifikimit ose certifikatën me fotografi. Pasaportat që kanë qenë në qarkullim para viteve 90 nuk janë pranuar si dokument identifikimi. Për këtë arsye u shty miratimi i listës së Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, u shpreh Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Si rrjedhojë, ashtu si për grupin e numërimit të votave, edhe këtë herë lindën mosmarrëveshje të ashpra midis demokratëve dhe socialistëve, pikërisht në përfshirjen ose jo të lëvizjes Mjaft në vëzhgim, pasi Erjon Veliaj figuronte ende Drejtor i Bordit Ekzekutiv, përveçse si kandidat për deputet. Ndërkohë, përfaqësuesit demokrat në KQZ, konkretisht, Njazi Kosaovrasti, pretendoi se ky koalicion nuk njihej ligjërisht, duke u shprehur se pjesë e koalicionit monitorues do të jenë edhe OJQ që nuk kanë lidhje me zgjedhjet, gjithashtu edhe deputetët. Nga ana tjetër, Partia Socialiste, me anë të Genci Gjonçaj, e hodhi poshtë propozimin e Kosovrastit, me argumentin se kjo shkel Kodin Zgjedhor. Megjithatë, në Kodin Elektoral (neni 6, pika 2), përcaktohet se organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medias, kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje. Por kodi nuk përcakton saktësisht se çfarë kriteresh duhet të plotësojnë përfaqësuesit e shoqatave, përveç dokumenteve të identifikimit, ndaj demokratët dhe socialistët e interpretojnë ligjin sipas interesave partiake, duke krijuar vështirësi të shumta për një proces zgjedhor normal.  
Ligji zgjedhor parashikon që kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë nga data e zgjedhjeve, ndërsa kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve. Deri tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar akreditimin e misionit monitorues të ODIHR, i cili përbëhet nga rreth 40 vëzhgues afatgjatë dhe kryesohet nga britanikja Audrey Glover. Gjithashtu, KQZ ka miratuar dhe akreditimin e vëzhguesve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Por, gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ miratoi një ndryshim për modelin e tabelës së rezultatit të Qendrave të Votimit, lidhur me llojin e ngjyrës së fletës së parë. Bëhet fjalë për një ndryshim në vendimin 21, në pikën 2 të udhëzimit, ku thuhet se tabela e rezultateve model 5709 prodhohen me fletë kimike me një bllok me 5 fletë secili, me format A3, me numër serial. Fleta e parë e bllokut do të jetë e bardhë dhe do të shërbejë si tabelë origjinale. Fletët e tjera do të jenë po të bardha dhe do të shërbejnë si kopje dhe do ti jepen anëtarëve të grupeve të numërimit. Pjesa tjetër e tabelave të rezultateve prodhohen në sasinë e duhur, format A3, letër e thjeshtë. Gjithashtu, KQZ ka miratuar vendimin për sasinë e prodhimit të fletëve të votimit. 3.145.748 është sasia e fletëve të votimit që do të prodhohen për zgjedhjet politike të 28 qershorit, përkundrejt numrit zyrtar të votuesve prej 3.084.067 personash të përfshirë në listat zgjedhore. ******************************************************************************
PS, apel KQZ: Çregjistrimi i Partisë Agrare, kusht për shtypjen e fletëve të votimit
Partia Socialiste ka vendosur të mos lëshojë pe nga kërkesa për të përjashtuar Partinë Agrare Ambjentaliste të kryesuar nga Lufter Xhuveli, nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Me anë të përfaqësuesit të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhësve, Genci Gjonçaj, PS i bën apel KQZ të çregjistrojë PAA, përndryshe ajo nuk do të lejojë shtypjen e modelit të fletëve të votimit dhe do të bojkotojë procesin zgjedhor, pasi kjo forcë politike ka shkelur kodin zgjedhor, duke mos respektuar kriterin e përfshirjes së femrave në listat për deputet në masën 30 %. Si rrjedhojë, mbledhja e djeshme e KQZ, u dominua nga debate të forta, ku socialistët kërkuan me çdo kusht përjashtimin e partisë së Xhuvelit. Siç duket, socialistët duan të hakmerren edhe kundër Xhuvelit, pasi ky i fundit i tradhtoj në zgjedhjet e 2005, duke u bashkuar me qeverinë Berishën, pasi e pa se të majtët e humbën pushtetin. Nga ana tjetër, kreu i kësaj force, Lefter Xhuveli, ka vazhduar turin e tij elektoral nëpër Shqipëri, duke u pozicionuar qartë në koalicionin e kryesuar nga qeveria Berisha.
Megjithatë, ashtu siç vepruan me komunistët, nën pretekstin e shkeljes së Kodit Zgjedhor, opozita është e vendosur ti eliminojë kundërshtarët e vet politik, nga frika e humbjes së zgjedhjeve. Ndërsa KQZ justifikohet se i ka miratuar pa vënë re listat e kësaj partie, ku kishte shkelje në përfaqësimin e femrave në tre qarqe, më konkretisht në Fier, Shkodër dhe Gjirokastër. Tashmë KQZ pohon se Drejtoria Juridike po merret me këtë çështje, por edhe pak ditë na ndajnë nga data e zgjedhësve. Kështu, kjo parti, në listën shumëemërore të qarkut Fier nga 14 kandidatë ka vetëm 4 femra, në listën e Gjirokastrës nga 5 kandidatë është vetëm një kandidate femër, dhe në listën e qarkut Shkodër nga 11 kandidatë ka vetëm 3 femra. Kjo shkelje ka ndodhur, pasi disa ditë më parë, KQZ ia kishte kthyer edhe një herë listat PAA pikërisht për këtë problem, por çuditërisht ajo nuk e ka plotësuar kriterin dhe hyri në zgjedhje.
Ndërkaq, socialistët akuzojnë KQZ se po hesht para shkeljeve të tilla të rënda, duke e shtyrë vendimin për miratimin ose jo të listave të PAA dhe ato kërkojnë me çdo kusht një seancë të posaçme për këtë çështje. Vendimi aktual i KQZ i jep të drejtë PAA të garojë në zgjedhje, por tani i mbetet Kolegjit Zgjedhor të vendosë nëse do të marrë parasysh pretendimet e socialistëve apo do të lërë në fuqi vendimin e KQZ-së. Në rast se Kolegji do të rrëzonte këtë vendim atëherë KQZ-së dhe PAA-së nuk do ti mbetej më asnjë mundësi për të rregulluar vendimmarrjen për këtë çështje, çka do të sillte si rrjedhojë dhe çregjistrimin e kësaj force nga lista e forcave që garojnë për tu përfaqësuar në Kuvendin e ri që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

  Last Updated on Friday, 05 June 2009 21:45

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›