Ndoka: Berisha dhe Rama përfaqësojnë interesat e tyre personale në këto zgjedhje
Partia Demokristiane dhe koalicioni ku ata bëjnë pjesë Poli i Lirisë kanë hapur fushatën elektorale në Qarkun e Durrësit, ku dhe kanë prezantuar kandidatët e këtij qarku. Gjatë fjalës së tij kryetari i PDK, Nard Ndoka ka sulmuar dy partitë e mëdha, Partinë Demokratike dhe atë Socialiste. Sipas Ndokës, sot në Shqipëri janë katër pole politike dhe jo vetëm dy, siç po bëhet publike nëpër media të cilave po ju bëhet presion politik dhe financiar nga ana e PD dhe PS, sepse këto duan që ta bipolarizojnë këtë fushatë elektorale. Sipas tij këto qëllime janë të padrejta , por që nuk kanë për tja arritur kurrsesi që ta ndalojnë PDK dhe koalicionin Poli i Lirisë, që të zhvillojë takimet e saj me përkrahësit dhe simpatizantët e tyre të cilët sot janë rritur akoma dhe më shumë.
Sipas Ndokës shtimi i numrit të përkrahësve që mbështetin PDK dhe Polin e Lirisë kanë ardhur si pasoj e politikave korruptive dhe interesave personale që po bëjnë dy partitë e tjera ajo demokratike dhe ajo socialiste. Ai tha se politika e demokratëve sot është kthyer në një politikë personale të Sali Berishës, i cili nuk po mendon për shqiptarë por po bën një politikë korruptive, të cilën e mbështesin rrethi i tij familjar dhe një grup fare i vogël mbështetësish të kësaj partie, të cilët po përfitojnë dita ditës në kurriz të shqiptarëve. Ndërsa Partia Socialiste dhe lideri i saj Rama me shembullin e Bashkisë së Tiranës po mendojnë që ta forcojnë pushtetin dh pasurinë e tyre me anë të lejeve të ndërtimit, tha Ndoka. Sipas tij forca e vetme politike që ka menduar një program real në zgjidhjen e të gjitha problemeve për shqiptarët është koalicioni Poli i Lirisë. Kreu i PDK Ndoka ju bëri thirrje qytetarëve durrsakë që të mos u besojnë më atyre individëve të cilët pasi kanë marrë mandatin e deputetit i kanë kthyer krahët qytetit historik të Shqipërisë, duke e lënë atë në thatësirë të tmerrshme për ujin e pijshëm. Durrësi lëngon çdo ditë nga thatësira. Në shekullin e 21 janë kthyer në qytet radhët për ujë, të bidonëve dhe boteve. Këtë situatë qyteti se ka pasur as kur është krijuar. Ftoj qytetarët durrsakë të mos u besojnë më përrallave të kryeministrit Berisha që thoshte se problemin e ujit do ta zgjidh duke shkripëzuar ujin e detit, deklaroi Ndoka. Ai tha se të tallesh me Durrësin është një gjë e turpshme dhe e dënueshme, sepse kështu kanë bërë deri më sot të gjithë deputetët që janë zgjedhur. Sipas tij këta deputetë kanë preferuar që të mbushin xhepat e tyre dhe të punojnë për të ndërtuar Durrësin, i cili është edhe qyteti me portin më të madh në vend. PDK premton solemnisht që në Kuvend nuk do të reshtë së kërkuari zgjidhjen e këtij problemi që mban prej dhjetëra vitesh peng këtë qytet, ka deklaruar Ndoka. Gjatë prezantimit të programit politik që ka kjo parti dhe koalicioni poli i Lirisë Ndoka deklaroi se, kjo forcë politike do të kërkojë në parlament dhe në qeverisje që të gjitha bizneset familjare dhe turistike të përjashtohen për një periudhë 5 vjeçare nga taksat.