Kandidatët e PD, Papa e Spaho takime elektorale në komunën e Drenovës
Kandidatët për deputetë të PD-së në qarkun e Korçës, Gjergji Papa dhe Jonela Spaho zhvilluan dje takime elektorale me banorët e fshatit Ravonik të komunës Drenovë. Kandidatët gjatë fjalës së tyre u fokusuan tek platforma elektorale e PD-së për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë, dhe hodhën poshtë pretendimet e Partisë Socialiste për përgjysmimin e çmimit të farërave dhe të gjithë imputove të tjera bujqësore.
Çmimet sot, si për çdo mall edhe në bujqësi diktohen nga tregu dhe jo nga individë apo forca politike. Ne, në ndryshim nga platforma socialiste, ofrojmë politikat subvencionuese për ata fermerë që shtojnë sipërfaqet e mbjella, që kanë komplekse blegtorale, që futin teknologji të reja dhe moderne, siç janë teknika e ujitjes me pika dhe teknika të tjera të cilat mundësojnë zhvillimin e bujqësisë, deklaroi kandidati Papa. Gjithashtu dy kandidatët e PD-së premtuan para simpatizantëve të kësaj partie, realizimin e disa investimeve për sistemim kanalizimet, rikonstruksionin e ujësjellësit të shkollës së fshatit dhe investime në infrastrukturë për të lidhur zonat bujqësore me akset nacionale të vendit.