Lesi: Berisha ul gjakrat në koalicion
Kryetari i Partisë Lidhja Demokristiane e Shqipërisë, Nikollë Lesi ka reaguar ndaj ministres së Shëndetësisë Anila Godo, në lidhje me dorëheqjen që kjo e fundit i kërkoi drejtorit ekzekutiv të Autoritetit Shëndetësor të qarkut të Tiranës Mhill Gecaj , i cili është dhe nënkryetar i kësaj partie.
Sipas Lesit, dorëheqja e kërkuar nënkryetarit të LDK-së është bërë për arsye politike, ku ministrja Godo këtë post kërkon që tia japë një përfaqësuesi të Partisë Republikane, me qëllimin e vetëm që të mbledhë votat e republikanëve me këtë detyrë shtetërore. Jam i detyruar, si pjesëtar i Koalicionit Aleanca e Ndryshimit ku kam firmosur një marrëveshje me kryetarin e Partisë Demokratike dhe kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, që ti kërkoj këtij njeriu ndërhyrjen e menjëhershme për të ndaluar këto veprime hakmarrëse brenda Koalicionit tonë ne mënyre qe te mos prishet klima paraelektorale jo vetëm ne raport me opozitën , por pikësëpari brenda partive te koalicionit tone te djathte, theksoi Lesi. Ai deklaroi se do të ishte e padrejtë që të zhvillohej kjo luftë bërrylash brenda koalicionit Aleanca për Ndryshim, sepse do të fillonte përçarja, por në rast se nuk do të ketë asnjë lloj reagimi nga kryeministri Berisha, do të dalë në një konferencë shtypi ku do të bëjë publike para shqiptarëve se kush është Gërdeci i Partisë Republikane dhe se kush është partia e Lufter Xhuvelit, që aktualisht këto parti janë pjesë e këtij koalicioni.