E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shqyrton të hënën ankimimin e PDI-së për Fierin

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dje në shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, për qarkun e Fierit. PDI kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në disa qendra votimi të qarkut të Fierit, konkretisht QV me numër 3185, 3188 dhe 3196 të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor nr. 20 dhe në QV-në 3006 të KZAZ-së nr.18. Pas hedhjes së shortit sipas Kodit Zgjedhor, relatimi i kësaj ankese iu ngarkua kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. Paraqitja e kësaj kërkese ka hasur në mjaft debate në KQZ për shkak të limiteve kohore në të cilat është dorëzuar ajo. Përfaqësuesi socialist në KQZ, Gençi Gjoçaj tha se Komisioni duhet të refuzonte shqyrtimin e kërkesës sepse sipas tij ajo është paraqitur jashtë afateve kohore të përcaktuara me ligj. “Kërkesa ankimore ka të bëjë me tabelën përfundimtare të zonës zgjedhore e cila në bazë të vendimit numër 23 është nxjerr në 07.07.2009 dhe sipas këtij përcaktimi, sipas kësaj vendimmarrje, 3 ditëshi përfundon në datën 10.07.2009. Pra ka kaluar çdo afati ligjor për shqyrtimin e saj”, - pohoi Gjonçaj. Po komentet e tij janë kundërshtuar nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani i cili pohoi se kërkesa ishte brenda afateve. “Vendimi i KQZ-së për tabelën përfundimtare të qarkut të Fierit ishte ditën kur në të u përfshinë dhe qendrat e numëruara në KQZ pra më 13 .07.2009. Kërkesa ankimore e PDI-së është dorëzuar më datë 16.07.2009 pra brenda afatit prej 3 ditësh”, - tha ai. Por nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi pohoi se dispozita i referohet tabelës përmbledhëse dhe jo ndryshimeve që mund të bëhen në të më pas. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, ka vazhduar kontestimet e tij ndërsa ishte duke u bërë gati për të lënë mbledhjen. Ristani theksoi disa herë se nuk mund të prishej mbledhja. “Ju keni penguar procesin dhe keni dashur ta prishni atë. Tani po prishni mbledhjet e KQZ-së. Nuk më mbetet tjetër veçse t ju denoncoj publikisht si njeriu që tenton në mënyrë të vazhdueshme të prishë mbledhjet. Sado të papërgjegjshëm nuk do prisni mbledhjen. Ata që ju kanë sjellë këtu duhet të ishin menduar mirë”, - tha kreu i KQZ-së. Debatet janë mbyllur me votimin e kërkesës ankimore e cila është pranuar me 4 vota pro dhe 3 kundër, ashtu si shumica e vendimeve të KQZ-së për këto zgjedhje. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit PDI konkurroi si pjesë e koalicionit të djathtë "Aleanca e Ndryshimit". Ajo është fituese e një mandati në Qarkun e Vlorës, ku kandidat fitues Dashamir Tahiri.
Ky lajm është publikuar: 18/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›