E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Urojmë që Kolegji zgjedhor mos jetë si KQZ

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ankimimet

Partia Socialiste deklaron se do ta vazhdojë edhe më tej betejën e saj për leximin e drejtë të votës së shqiptarëve. Kreu i selisë rozë, Edi Rama pohoi dje se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me maskaradën e tij duke mbajtur peng zgjedhjet por pavarësisht kësaj, PS nuk do të tërhiqet dhe do të përdorë të gjitha rrugët ligjore për të penguar degjenerimin e mëtejshëm të procesit. Ai pohoi më tej se shpreson që Kolegji Zgjedhor nuk do të sillet si KQZ me ligjin dhe të drejtën e PS për të kërkuar zbatimin e tij. Duke kujtuar edhe njëherë se 3 objektivat e socialistëve mbeten votat në qytetet e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës kryesocialisti Edi Rama tha se zbardhjes së të vërtetës së zgjedhjeve do t i shkohet deri në fund. Socialistët kërkojnë rinumërim të disa kutive në Berat për shkak të një numri të madh të votave të shpallura të pavlefshme dhe rivlerësim të disa kutive për një proces zgjedhor të zhvilluar në lokale private të militantëve të Partisë Demokratike në Tiranë. Ai akuzoi më tej Berishën se po thellon edhe më tej krizën.
Deklarata
“Vazhdon maskarada e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve, vazhdon farsa e kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, që rrit taksa e inauguron rrugë të pambuluara me financime duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derë dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri është përditë e më dramatike”, - pohoi dje Rama. Ai theksoi se angazhimi për të konsumuar deri në fund hallkat ligjore të një procesi tërësisht të degjeneruar është i plotë dhe pavarësisht abuzimit të skajshëm të KQZ-së me ligjin zgjedhor e me të drejtën e padiskutueshme të këtij subjekti politik për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër, PS nuk ka ndërmend të tërhiqet asnjë milimetër nga detyrimi për ta zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit. “Urojmë që Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja me ligjin e me të drejtën tonë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit e mbështetësit tanë se ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, po me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht si voton qytetari”, - siguroi dje kreu i selisë rozë gjatë një konference për shtyp. Deklarata e Ramës vjen pas rrëzimit në KQZ të kërkesës së saj për rinumërimin e votave në Berat dhe në Tiranë. Në vijim të kontestimeve të saj ajo tashmë e ka nisur fazën e dytë të betejës e cila zhvillohet në Kolegjin Zgjedhor. Tashmë PS ka depozituar aty ankimimet e saj për qarkun e Fierit dhe të Beratit. Në qarkun e Fierit diferenca e votave për mandatet është shumë e ngushtë mes koalicioneve vetëm 157 vota, aq sa demokratët mendojnë se nëse merret parasysh ankesa e tyre mund të ketë një rishpërndarje të mandateve. PS ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor dhe ankimimin për Beratin ku konteston vendimin e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore të PS-së për rinumërim dhe rivlerësim të votave në KZAZ-të e këtij qarku. “Ne do të ankimojmë të gjitha këto vendime të paligjshme të KQZ-së, sidomos ato vendime që u morën ditët e fundit dhe që kanë të bëjnë me qarqet e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Pra, nxjerrja e vendimeve plotësisht në kundërshtim me ligjin, refuzimi pa asnjë shkak ligjor i kërkesës së dy anëtarëve për rinumërimin e qendrave të caktuara te votimit”, - është shprehur dy ditë më parë kandidati i PS-së, Damian Gjiknuri. Në Kolegj do të çohet gjithashtu rezultati i qarkut të Shkodrës nga PD.
Ky lajm është publikuar: 18/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›