Kreshnik Spahiu dhe Edi Rama, presion të turpshëm anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor
Me përfundimin e procesit zgjedhor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me certifikimin e fitores së koalicionit “Aleanca për Ndryshim”, Edi Rama po sheh si barkë të vetme shpëtimi, zgjatjen e procesit dhe arritjen e ndonjë kompensimi të vogël në Kolegjin Zgjedhor. Prandaj edhe bataretë e ndërmjetësimit e të spekulimit janë përqendruar ditët e fundit tek marrëdhënia e shkurtër e kryetarit të opozitës ende në detyrë me nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Edvin Rama e ka jetike eksportimin e tollovisë elektorale tek Kolegji Zgjedhor dhe delegjitimimin e procesit, nëpërmjet rikthimit të procesit të numërimit të votave në Qarkun e Beratit. Prandaj ai ka siguruar edhe ortakërinë e Spahisë, i cili ka marrë përsipër të përcjellë presionin e tij verbal e politik, në rrugë institucionale për tek anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Edhe pse s’ka asnjë indicie e asnjë ankesë nga dhjetëra komisionerët socialistë e të partive të tij aleate në qendrat e numërimit të votave në të gjithë qarkun, Edvini është i vendosur për të shtyrë sa të mundet dhënien e dorëheqjes, të paktën derisa të gjejë një zgjidhje tjetër se si do të mbajë të uzurpuar Partinë Socialiste. Prandaj edhe shtyrja e procesit të shpalljes së rezultatit final ka sjellë marrëveshjen e fundit të turpshme të Edi Ramës me Kreshnik Spahinë. Gjatë gjithë ditëve të fundit, nënkryetari i KLD-së është investuar në biseda informale me anëtarë të Kolegjit Zgjedhor apo edhe të afërm të tyre, duke u përpjekur të përcjellë edhe mundësitë hipotetike që ai posedon, në mënyrë që t’i ndëshkojë gjyqtarët që do t’i binden ligjit dhe ndërgjegjes së tyre profesionale dhe jo vullnetit të tandemit Rama-Spahiu. Presioni i këtyre ditëve ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor është zhvillimi më i turpshëm dhe standardi më i ulët që kryetari në detyrë i opozitës dhe nënkryetari i KLD-së po vendosin në këtë situatë postzgjedhore. Merret vesh se ky presion s’ka asnjë gjasë të ketë sukses, pasi gjendja tek kutitë e qarkut të Beratit është krejt e qartë dhe s’ka asnjë indicie që të prodhojë një kontest, por Kreshnik Spahiu nuk shqetësohet shumë nga kjo thyerje e etikës profesionale dhe e respektit për institucionet, ndërkohë që Edvin Rama s’ka si shqetësohet për gjë, pasi si makiavelist që është, interesohet veç për lëkurën e tij, që të mos përfundojë pas hekurave të ndonjë qelie, nëse do të heqë dorë nga drejtimi i Partisë Socialiste. Këto parakushte i bëjnë të patrembur dy të dëshpëruarit tanë, por denoncimi publik i aksionit të turpshëm të presionit mbi anëtarët e Kolegjit Zgjedhor është një detyrim për të gjitha ato segmente të shoqërisë që kontribuuan - pak a shumë – në përmbushjen e standardeve të këtij procesi zgjedhor. Ky proces nuk do të lejohet të përdhoset nga kjo dyshe që s’ka asnjë etikë dhe nëse presioni zgjat, është e qartë se palët e interesuara do të nxjerrin edhe dëshmitë e këtij presioni, por që tashmë do të pasohej edhe me veprime juridike.
...