E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga, tentoi të vrasë burrë e grua

Kapet një nga autorët e tentativës së vrasjes së dy bashkëshortëve në Kamzë të Tiranës. Policia e kryeqytetit deklaroi dje se ka vënë në pranga Çlirim Koldashin. Burimet policore thanë se për konsumim të veprave penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë, nga specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, u realizua identifikimi dhe kapja e shtetasit Çlirim Mehmet Koldashi, 24 vjeç, banues në Bathore. Ky shtetas dyshohet të jetë bashkautor i tentativës së vrasjes me armë zjarri dhe mjete të forta të bashkëshortëve Halim dhe Tefta Kuçi, ngjarje kjo e ndodhur më datë 04 qershor 2008 në Bathore. I lartpërmenduri ishte shpallur person në kërkim për këtë ngjarje, ndërkohë janë kryer të gjitha veprimet procedurale e hetimore, ndërsa po punohet më tej për kapjen edhe të dy autorëve të tjerë të dyshuar. Këta persona kishin tentuar të vrisnin Halim Kuçin dhe pas ndërhyrjes së bashkëshortes së tij, ata kanë tentuar të shtypin me makinë edhe atë. Gjatë arratisjes kanë përplasur makinën me një mur, gjë që ka sjellë braktisjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›