KRYQI I KUQ SHQIPTAR - 90 VJET PRANË NJERËZVE
Prof. Dr. Shyqyri Subashi
President i Kryqit të Kuq Shqiptar
Në datën 4 të muajit tetor 2011, Kryqi i Kuq Shqiptar do të përkujtojë 90-vjetorin e themelimit të tij. Pra, viti 2011 është një jubile i rëndësishëm i shoqatës humanitare më të vjetër dhe më të madhe të Shqipërisë, në historinë e gjatë të së cilës ka pasur shumë zhvillime, por edhe plot luhatje përkitazi me ndryshimet e furishme, tronditëse, mbresëlënëse e plot pasoja të shoqërisë shqiptare. Është kënaqësi të theksohet se praktikisht, Kryqi i Kuq Shqiptar është themeluar që në fillesat e organizimit të shtetit shqiptar dhe se në këtë themelim ka luajtur rol shumë të rëndësishëm sensibilizimi që krijoi Kryqi i Kuq Amerikan në popullatën shqiptare nëpërmjet operacioneve të ndihmës humanitare që ai ka bërë në periudhën 1919-1920. Unë mendoj se Kryqi i Kuq Shqiptar sot përbën një pasuri reale e me shumë vlera humanitare e civile të shoqërisë shqiptare. Kjo pasuri është e pranishme jo vetëm si ekzistencë e një koncepti dhe ideje tradicionale dhe prestigjioze në veprim, por edhe me strukturat e saj institucionale, drejtuese dhe menaxhuese, që kanë bazë mjedisore funksionuese dhe trajnuese, si dhe pajisje të mjaftueshme dhe shumë të mira, si në selinë qendrore, ashtu edhe në degët e saj, të cilat veprojnë në çdo qendër qarku e në shumë bashki të vendit. Si rezultat i kësaj ideje dhe i këtyre strukturave me bazat materiale përkatëse, Kryqi i Kuq Shqiptar ka treguar, me angazhime dhe me veprime, se është në gjendje të kryejë projekte dhe programe të shumta humanitare, në ndihmë të më nevojtarëve në fusha të ndryshme, nga të cilat më kryesoret janë veprimtaritë e mëposhtme: Të punojë në fushën e difuzionimit të vazhdueshëm të parimeve themelore të Lëvizjes Botërore të Kryqit të Kuq e të Gjysmëhënës së Kuqe, të Ligjit Ndërkombëtar Humanitar dhe në atë të përhapjes së vlerave të përgjithshme humanitare. Është e rëndësishme të kuptohet se Kryqi i Kuq është i hapur për të ndihmuar të gjithë, pa asnjë lloj dallimi e diskriminimi, mjaft që ata të jenë nevojtarë; Të japë ndihmesë efektive në zbutjen e vuajtjeve të grupeve të prekura të popullatës nga fatkeqësitë e karaktereve të ndryshme, lokale ose të përhapura. Jeta ka treguar dhe tregon vazhdimisht se fatkeqësitë (përfshirë dhe luftërat) nuk mund të zhduken, por Kryqi i Kuq mundohet që, gjatë tyre, t’i pakësojë sa mundet vuajtjet njerëzore; Të punojë pareshtur për të sensibilizuar qytetarët për dhurimin vullnetar e të papaguar të gjakut. Në ritmin e jetës së sotme shumëkush mund ta rrezikojë jetën për mungesë gjaku dhe këtë mund ta shpëtojë Kryqi i Kuq duke e siguruar atë. Me kënaqësi deklaroj se vetëm në vitin 2010, duke u bazuar në sensibilizimet e Kryqit të Kuq Shqiptar, janë dhuruar rreth 4.570 njësi gjaku; Të japë kontributin për përmirësimin e shëndetit të njerëzve duke përfshirë aty edhe veprimtaritë e kryera për mësimin e tyre me mënyrat e dhënies së ndihmës së parë në rast aksidentesh apo dëmtimesh. Vetëm në vitin 2010 janë instruktuar në këtë drejtim 42.690 persona; Të rrisë përkujdesjen në fushën sociale, sidomos për grupet dhe personat më nevojtarë për të lehtësuar sadopak vuajtjet e jetës së tyre, për t’ua përmirësuar atë dhe për të rritur treguesit e besimit për jetën; Të punojë për të siguruar sa më shumë fonde, nëpërmjet sistemit të donacioneve dhe të bashkëpunimeve reciproke me shoqatat e tjera jo qeveritare, të vendit dhe me ato ndërkombëtare si dhe partnerë të tjerë qeveritar e të fushës së biznesit. Në vitin e 90-të vjetorit të Kryqit të Kuq Shqiptar, në të gjithë vendin, shoqata llogarit rreth 95.600 anëtarë të regjistruar dhe mbi 2.000 vullnetarë aktivë, të gjithë të sistemuar në ekipe të ndryshme të veprimtarive humanitare, duke shprehur kështu në mënyrë të qartë, forcën e vullnetarizmit, të humanizmit dhe në zhvillimin e shoqërisë civile në vend.