E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re e financimit, UT kërkon formulat e zbatimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-10-2011 14:02

Pak ditë parë hapjes së debatit publik për skemën e re të financimit të arsimit të lartë, Universiteti i Tiranës kërkon që Ministria e Arsimit t’u përgjigjet disa pyetjeve konkrete për funksionimin e metodës së re të ndarjes së fondeve. Për këtë arsye, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, që drejtohet nga rektori Dhori Kule, ka miratuar një vendim ku janë ngritur pyetjet që ka UT në lidhje me këtë skemë financimi. Ky vendim i Senatit Akademik i është dërguar edhe Ministrisë së Arsimit, për t’u sqaruar në lidhje me pikat e evidentuara. Në këtë vendim, ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm kundër skemës së re të financimit, Universiteti i Tiranës tashmë se është pro saj, pasi arsimi i lartë në Shqipëri ka të nevojshme ndërmarrjen e reformave që prekin funksione të ndryshme të tij. Një ndër to, sipas UT-së, është patjetër dhe skema e financimit e përdorur aktualisht dhe ndaj ky institucion shpesh ka shprehur kërkesën e vet për një rimendim të skemës aktuale të financimit krahas reformave të tjera të kërkuara nga UT. Por, para miratimit të draftit të ri të financimit si dhe zbatimit të tij në praktikë, UT-ja ka analizuar çdo detaj të skemës së propozuar dhe duke u munduar që të parashikojë realitetin e ri që do të krijohej në qoftë se kjo skemë do të implementohej. Pas diskutimit të draftit nga stafi akademik i UT, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre rreth skemës së financimit, janë ngritur disa pyetje, të cilat, nëse do të marrin përgjigje nga MASH, do të ndihmonin në thellimin e analizës dhe arritjen në konkluzione nga grupet e interesit në UT. Shqetësimet e UT-së nisin që me përbërjen e grupit të punës që ka përgatitur draftin, CV-të e tyre për të parë edhe eksperiencën e anëtarëve të këtij grupi, dhe cili është mendimi i konsulentëve të huaj. Po ashtu, kërkohet një vlerësim i situatës aktuale të arsimit në Shqipëri, dhe sa sukses do të ketë skema që propozohet po të kihet parasysh niveli aktual kulturor, menaxherial dhe social në Shqipëri. Ndërkohë që janë një sërë pyetjesh teknike që kanë të bëjnë me formulën se si do të përcaktohet shuma e grantit për çdo universitet, cila do të jetë metodologjia që do të përdoret për të përcaktuar koston e studentëve për çdo universitet publik dhe sa e përshtatshme është koha për nisjen e zbatimit të skemës së re në praktikë, që parashikohet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2012 dhe të përfundojë e gjithë reforma në vitin 2013. Ndërkaq, një tjetër shqetësim i ngritur nga UT është edhe pranimi i studentëve në sistemin me kohë të pjesshme. Sipas UT-së, skema e re mund të vërë në pikëpyetje funksionimin e sistemit part-time, për shkak të numrit të kufizuar të studentëve që mund të regjistrohen në universitetet publike. Sipas draftit, universitetet publike mund të rekrutojnë deri në 10% shtesë të studentëve me kosto të plotë mbi kuotat e përcaktuara për secilën degë. Ky kufi prej 10% do të përfshijë të gjithë studentët part-time dhe sipas argumentimit të UT-së, ky numër në bazë të kësaj skeme, është disa herë më i vogël se numri aktual i studentëve që regjistrohen në universitetet publike. Në këto kushte, UT propozon që për të pasur një panoramë më të qartë të kapaciteteve financiare që ka Ministria e Arsimit dhe të atyre që kanë universitetet publike, është e domosdoshme që MASH të publikojë një analizë sasiore të skemës së re të propozuar. Gjithashtu të paraqiten skenarët optimistë dhe pesimistë të implementimit të kësaj skeme.

Pyetjet teknike rreth skemës

Si do të përcaktohet shuma e grantit për çdo universitet?

A është kjo skemë e njëjtë me sistemin Voucher (kupon) të financimit pa dallim institucioni publik apo privat?

Cilësia e studentit, “Performanca në Maturën Shtetërore”, a do të jetë kriter nëse institucioni ku studenti do të studiojë, do të përfitojë nga skema e re e financimit?

Cila do të jetë metodologjia që do të përdoret për të përcaktuar koston e studentëve për çdo universitet publik?

Kjo formulë, a nuk vë në pikëpyetje funksionimin e sistemit part-time për shkak të numrit të kufizuar të studentëve që mund të regjistrohen në universitetet publike?

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›