E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trotuaret, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike

Policia Bashkiake në bashkëpunim me strukturat përkatëse të kontroll territorit në Bashkinë e Tiranës, ka vijuar punën me ritme të larta për pastrimin e trotuareve. Kështu është realizuar ndërhyrja në bulevardin “Bajram Curri”, rrugën “Ali Demi”, rrugën “Mihal Grameno”, rrugën “Luigj Gurakuqi”, rrugën e “Dibrës”, rrugën e “Barrikadave”, sheshin “Avni Rustemi”, rrugën “Vëllezërit Huta”, rrugën “Fadil Rama”, rrugën “Arkitekt Kasemi”, rrugën “Vexhi Buharan”, rrugën “Tefta Tashko”, bulevardin “Marsel Kashen”, bulevardin “Zhan Dark”, rrugën “Hoxha Tasim”, si dhe rrugën “Johan Fon Han”. Në 48 orët e para të ndërhyrjes që lidhen me fazën e parë të lirimit të trotuareve është bërë i mundur largimi i mbi 500 vazove prej betoni dhe plastike që bllokonin kalimin e qytetarëve. Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë hequr dhjetëra metra linearë kangjella metalike që kishin rrethuar në mënyrë të paligjshme pronën e përbashkët, si dhe janë liruar dhjetëra vendparkime së bashku me tabelat e reklamimit të vendosura në trotuar. Punonjësit e kontrollit të territorit kanë vendosur edhe disa gjoba financiare ndaj subjekteve që kishin bërë ndërhyrje në infrastrukturë. Në fazat e ditëve në vijim do të zbatohet plani për lirimin e trotuareve edhe nga tavolinat e bareve, shitësve ambulantë apo përdorimit të hapësirës publike në mënyrë jo të ndershme nga subjektet private.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›