E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS diskuton për veriun e Kosovës, Hoxhaj: Situata, kërcënuese

NEW YORK - Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. 
Në mbledhjen e KS-së ishte i pranishëm edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, homologu i tij serb Vuk Jeremiç dhe shefi i UNMIK-ut Farid Zafir. 

Hoxhaj: Situata në veri, kërcënuese
Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj raportoi për arritjet e Kosovës, gjatë tre muajve që trajton raporti, duke nënvizuar forcimin e institucioneve, miratimin e dhjetëra ligjeve në Kuvend dhe angazhimin e autoriteteve në luftën kundër krimit.
Hoxhaj deklaroi se situata në veri të vendit është kërcënuese, ndërsa akuzoi Serbinë se po pengon zbatimin e rezolutës 1244. 

Një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj u përqendrua në vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e shtetit.
Në këtë seancë, ministri Hoxhaj dënoi dhunën e ushtruar mbi ushtarët e KFOR-it nga strukturat paralele ilegale në veri, si dhe kërkoi nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të OKB-së, që të rrisin presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e plotë të këtyre strukturave kriminale, si parakusht për stabilitet dhe paqe në Ballkan.

UNMIK: Duhet të shmanget përdorimi i dhunës
Shefi i UNMIK-ut deklaroi se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe u bëri thirrje palëve të vetëpërmbahen.
“Palët duhet të gjejnë mënyra për të komunikuar në mënyrë që të shmangin përdorimin e dhunës. Duhet të ketë përpjekje nga politika për veriun e Kosovës dhe të luftohet krimi ndëretnik”- theksoi Zafir. 

Jeremiç: Të nxirren mësime nga incidentet në veri
Kryediplomati serb Vuk Jeremiç e cilësoi të papranueshme mbështetjen e KFOR-it dhe EULEX-it gjatë operacionit të policisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit në pikat kufitarë të veriut, në 16 shtator.

Sipas Jeremiç, serbët e Kosovës reaguan ndaj veprimit të dhunshëm të forcave ROSU, duke ngritur barrikada në rrugë. “Veprimet e njëanshme janë të papranueshme. Duhet të nxirren mësime nga incidentet në veri.”- deklaroi Jeremiç. 
“Është e qartë që rrugët nuk mund të qëndrojnë gjithmonë të bllokuara, por duhet të plotësohen disa kushte politike, që barrikadat të hiqen. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur këtë”- tha Jeremiç.
Raporti
Raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon flet për situatën shqetësuese në veri të Kosovës dhe nevojën e gjetjes së zgjidhjeve me bisedime. 
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›