E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS për Kosovën, Thaçi: Jemi të përgatitur për sukses

Kosova do të përfaqësohet në seancën jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, e cila do të mbahet të martën, nga ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni. Megjithëse seanca urgjente është thirrur nga Rusia, pas opinionit të GJND-së në favor të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi e vlerëson atë si seancë normale, e si një mundësi shtesë për Kosovën që të prezantojë progresin e arritur.

“është mbledhja e parë e Këshillit të Sigurimit pas GJND-së, pas fitore historike të Kosovës, Ministri i jashtëm është i deleguari i institucioneve te Kosovës për të marrë pjesë në këtë takim. Do të vlerësohet dhe prezantohet progresi i arritur në Kosovë, do të prezantohet shteti i Kosovës në mënyrë të dinjitetshme. Do të prezantohen edhe nga partnerët tanë zhvillimet pas opinionit të GJND-së. Mendojë se gjërat janë duke shkuar në drejtim të duhur, në drejtimin e njohjeve të reja dhe forcimit të shtetit tonë”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova është shumë mirë e përgatitur që të korrë suksese edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që fillon punimet në shtator. Numri një i Qeverisë shtoi se pret njohjen e pavarësisë nga pesë vendet e BE-së të cilat kanë paralajmëruar se nuk do ta njohin Kosovën as pas opinionit të GJND-së.

“Me rëndësi është që vendet e BE-së pa dallim të gjitha e kanë mirëpritur opinionin e GJND-së. Tash nga Brukseli kemi qëndrimin unik të mbështetjes së plotë të perspektivës evropiane të Kosovës. Unë pres njohje edhe nga pesë vendet tjera të BE-së të cilat janë në aspektet procedurale vendimmarrëse për njohjen e shtetit të Kosovës”, vijoi Thaci.

Me përjashtim të Greqisë, e cila nuk është deklaruar qartë pas vendimit të GJND-së, të katër shtetet tjera, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro kanë thënë prerazi se nuk kanë ndërmend ta njohin pavarësinë e Kosovës

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e martë , 03 gusht 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›