E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbyllet korrupsioni me pronat

Ja drejtoj publikisht këtë ftesë z.Enkelejd Alibeaj, Agim Toro, Myrshit Vorbsi dhe bashkë me ta, Avokates së Shtetit, kryetarit të Agjencisë së KK Pronave, prefektit dhe kryetarit të Bashkisë Vlorë, për ta vënë gishtin në plagë në një rast konkret, në pronën që quhet Jonufra-Vlorë, rast që konkretizon në mënyrë të pakundërshtueshme hajdutërinë e bashkërenduar të zyrtarëve me trojet turistike, mungesën e shtetit ligjor dhe mënyrën e funksionimit të anti-ligjit në emër të zbatimit të ligjit.
Ditën e mërkurë, dt.28.07.2010, në debatin e orës 21:00, në Tv “News24”, midis juristit Enkelejd Alibeaj (ish-ministër i Drejtësisë dhe sot deputet i PD-së), dhe z.Agim Toro e Myrshit Vorbsi (përfaqësues të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”) u diskutua ligji i pronave dhe propozimi i z.Alibeaj, për amendimin e ligjit ekzistues. Emisioni ishte i vlefshëm, pasi nga të dy palët u shkëmbyen mendime nëse i duhet dhënë apo jo Agjencisë së Kthimit të Pronave, e drejta e rishikimit të vendimeve të mëparshme për pronat. Zoti Alibeaj i shtroi palës përballë pyetjen: “Me cilin jeni ju, me hajdutërinë dhe hajdutët e pronave, apo me të drejtën?”, duke shtjelluar mendimin e tij. Problemi është se ky amendim nuk e zgjidh problemin e shkeljes së të drejtës së pronësisë, ndërkohë që zgjidhja është shumë më e thjeshtë nëse dallomë dhe korrigjojmë shkakun. Shkelja e të drejtës së pronës, veçanërisht në zonat turistike, po mbrohet në mënyrë konstante me ligjet dhe vendimet e miratuara që nga viti 1991 e deri më sot. Nga palët, në debat u tha se hajdutëria me pronat buron nga ligjet e gabuara që nuk përputhen me Kushtetutën; nga zbatimi i gabuar i këtyre ligjeve të gabuara; nga korrupsioni dhe makutëria e administratës dhe oligarkisë politike, për të përvetësuar pronat me vlera turistike; nga korrupsioni dhe mosefikasiteti në administratën shtetërore të komisioneve të Kthimit të Pronave, përfshi Komitetin (sot Agjencinë) e pronave në tërësi, por dhe në vendimet gjyqësore. Ky kompleks dukurish u pretenduan, si nga zoti E.Alibeaj, ashtu edhe nga zoti A.Toro. Nga z.Toro u tha se po përgatiten vendime për legalizimin e pushtimeve dhe ndërtimeve të paligjshme edhe në zonat turistike. Nëse kjo është e vërtetë, kjo është faqja me e turpshme dhe më e zezë e zhvillimeve antiligjore dhe antidemokratike. Dhe në këtë rast çfarë vlere ka nëse një njeriu të vetëm që përfaqëson Agjencinë, i jepet apo nuk i jepet e drejta të rishikojë vendimet që ankimohen si të gabuara.
Në emision u diskutua çështja “Gjonboçari”, e cila tashmë, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut (Ankimi nr.10508/0223, tetor 2007), është bërë publike nga media. Zoti Alibeaj u shpreh se e njihte rastin, por nuk shtjelloi më tej. Unë që jam personi i interesuar, mendoj se ky rast njihet nga zoti Alibeaj, por vetëm për aq pak sa ka analizuar dhe gjobitur moralisht shtetin Shqiptar ai vendim i Strasburgut. Realiteti është gri shumë e errët. Ky rast i vetëm materializon dhe konkretizon shumë nga mendimet e shprehura në përgjithësi në emision, si dhënie vendimesh nga komisioni i Pronave të Vlorës përfshi Agjencinë, në shkelje të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave (thjesht, biznes i kryetarëve), vendime për të cilat prokuroria ka heshtur; vendime gjyqësore që janë dhënë në shkelje të ligjit në fuqi dhe të hartuar sipas interesave të porositësit. Ka ping-pong shkresash të Ministrisë së Turizmit me komisionin e Pronave dhe pushtetin vendor, për të penguar zbatimin e ligjit për kthimin e pronës në origjinë dhe favorizimin e personave të tretë. Rasti i kësaj prone përfshin në kohë të ndryshme (viti 2001 dhe 2008), edhe konstatime të shkeljes ligjore nga Prefektura dhe nga komisioni Antikorrupsion i Kryeministrisë. Kjo anë është normale, por faqja e turpit është se veç konstatimit të veprimeve antiligjore, nuk është bërë asnjë veprim për korrigjimin e gabimit, megjithëse unë me shumë durim kam bërë kërkesa të përsëritura. Lidhur me organin e prokurorisë, kam bërë 10 ankime penale, ku kam dokumentuar në mënyrë të pakundërshtueshme shpërdorimin e detyrës nga pushtetarë të ndryshëm, por rezultati ka qenë që pas një kohe relativisht të gjatë, prokurorët kanë marrë vendim për mbyllje të hetimeve. Komentet janë të tepërta... Rasti i pronës së Jonufrës materializon dhe shumë fakte të tjera skandaloze që ia kam bërë të ditur ministrit të Drejtësisë dhe kryeministrit. Në këtë rast konkretizohen të gjitha mendimet e shprehura nga z.E.Alibeaj dhe z.A.Toro. Rasti i Jonufrës nuk është përjashtim, por ngjan me ato të qindra e mijëra pronarëve të zonave turistike, që kanë pasur eksperiencën e sorollatjes dhe humbjes së kohës për të kërkuar drejtësinë në drejtësi. E veçanta është se këtu, në emër të ligjit po mashtrohet edhe Strasburgu, dhe kjo nuk do të zgjasë shumë.
Duke falënderuar pjesëmarrësit dhe organizatorët e emisionit të zhvilluar në TV “News24”, dhe për të dhënë mundësinë e një debati të konkretizuar, për rivendosjen reale të drejtësisë sociale, ashtu siç u shpreh zoti E.Alibeaj, unë i bëj këtë ftesë publike zotit Alibeaj, zyrtarëve të përmendur në Tiranë, drejtuesve të pushtetit vendor në Vlorë, si dhe cilitdo specialist që ata e quajnë të nevojshëm, të inspektojmë bashkërisht në terren pronën që i është shpronësuar familjes time në vitin 1947, pronë për të cilën ka disa vendime të komisionit të Pronave Vlorë, vendime gjykatash të formës së prerë, vendimin e Strasburgut që vazhdon të studiohet...! Nëse ftesa për vizitën pranohet, unë do të vë në dispozicion dokumentacionet dhe shpjegimet e nevojshme. Pas këtij inspektimi, jam i bindur nëpërmjet vlerësimit të këtij rasti konkret, se ekipi do të bindet për shkallën e lartë të korrupsionit në administratën dhe pushtetin lokal pa përjashtuar administratën e lartë shtetërore dhe sistemin e drejtësisë, që në një marrëveshje të pashkruar nuk duan ta zbatojnë ligjin; se gjykatat dhe prokuroria nuk kanë dashur ta japin drejtësinë, por deri sot kanë shtyrë kohën duke e kaluar problemin në një hallkë tjetër pa bërë asnjë veprim. Pas kësaj vizite, zoti Alibeaj si jurist dhe deputet i maxhorancës, do ketë shumë të dhëna faktike për të drejtuar gishtin tek shkaku dhe hajdutët e vërtetë të pronave të qytetarëve. Pas kësaj vizite, mund të realizohet një emision në TV për të diagnostikuar dhe argumentuar konkretisht, pa pasione, shkakun e korrupsionit me pronat dhe për të sugjeruar një zgjidhje efektive për respektimin e të drejtës së pronës, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare. Deri sot, veç fjalëve dhe pretendimeve për zgjidhje, nuk ka pasur vullnet politik për të dëgjuar se si mendojnë dhe propozojnë pronarët. Duke falënderuar të gjitha mediat që po bëhen faktor për sensibilizimin e zgjidhjes së drejtë të problemit të pronës, besoj se ftesa për të inspektuar bashkërisht Jonufrën do të pranohet, si nga zoti Enkelejd Alibeaj, ashtu dhe nga personat e tjerë dhe vetë mediat si pushtet i pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›