E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaci: Korrupsioni? Përpara ligjit, nuk i vë miqësitë

TIRANE- Lufta për korrupsion nuk do të “kursejë” askënd mes zyrtarëve të qeverisë së Kosovës. Kështu ka deklaruar kryeministri i shtetit më të ri në botë, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive dhënë “Gazetës Shqiptare”. Përballë një vale kontrollesh e nisjesh hetimesh nga misioni i BE-së në Prishtinë, EULEX, Thaçi nuk ka asgjë për të fshehur. “Drejtësia dhe ekzekutivi janë pushtete të ndara; unë e mbështes drejtësinë të bëjë punën e saj në luftën ndaj korrupsionit”, - pohon kreu i qeverisë. Kryeministri është krejt i bindur për të mos marrë parasysh miqësitë personale në luftën kundër korrupsionit. Por, ajo që mund ta vendosë në vështirësi atë është shkarkimi i mundshëm i Fatmir Limajt, shok i dikurshëm i luftës gjatë viteve ‘98-‘99, bashkëthemelues i partisë dhe aktualisht ministër i Transportit në qeverinë Thaçi. Shtëpia dhe zyra e tij janë kontrolluar së fundmi nga policia e EULEX-it, me dyshimin për përfshirje në afera korruptive. Por, për kryeministrin gjithçka është në dorën e drejtësisë, të ndarë nga qeverisja.
Z.Thaçi, ju jeni nismëtar i luftës ndaj korrupsionit në Kosovë, por në ditët e fundit kemi parë arrestime, kontrolle apo nisje hetimesh në ministri apo struktura të rëndësishme të qeverisë tuaj. Sa besoni se kabineti juaj është i pastër ndaj korrupsionit?
Që në fillim të qeverisjes sime e kam bërë të qartë politikën e zero tolerancës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë largim nga kjo politikë. Kushdo qoftë, pavarësisht pozitës shoqërore apo politike, që bie në kundërshtim me ligjin, duhet të përballet me të. Unë do të qëndroj në krye të luftës kundër këtyre fenomeneve negative dhe të dëmshme për vendin.
EULEX ka bërë të ditur se ka emra të zyrtarëve të lartë të Kosovës që dyshohen për afera korruptive. Jeni në dijeni të këtyre emrave? Jeni njoftuar për ta?
Ne jemi demokraci kushtetuese, ku pushteti politik dhe pushteti gjyqësor janë të ndarë nga njëri-tjetri. Ne nuk merremi me investigime. Këto çështje i takojnë sistemit të drejtësisë. Unë e mbështes drejtësinë dhe sundimin e ligjit, sepse besoj fuqishëm se në një shoqëri demokratike, drejtësia qëndron mbi të gjitha vlerat e tjera.
Sapo shkarkuat për korrupsion zëvendësministrin e Transportit, të emëruar pak ditë më parë në këtë post. Sa emra të tjerë janë në listën tuaj të shkarkimeve?
Veprimet e mija janë të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, dhe janë në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit në të gjitha sferat e jetës dhe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kushdo që mund të ketë bërë shkelje, do të ballafaqohet me pasojat.
Ministria e Transportit është bastisur më parë nga EULEX. Thuhet se ka dyshime për përfshirjen e vetë ministrit Limaj në afera korruptive. Jeni nën presion për dorëheqjen e tij? Do ta shkarkoni?
Pushteti ekzekutiv bën punën e vet sikurse edhe pushteti gjyqësor. Qëndrimi im konsistent ka qenë se nuk duhet të ketë intererim ndërmjet tyre.
A besoni se Kosova mund të arrijë edhe 59 njohjet e reja në mënyrë që të ketë mundësi të bëhet anëtare e OKB-së pas vendimit të Gjykatës së Hagës për ligjshmërinë e pavarësisë së saj?
Republika e Kosovës po ecën me hapa të sigurt në rrugëtimin e saj për të zënë vendin e vet të merituar në strukturat e bashkësisë ndërkombëtare. Vlerësimi i GJND-së se pavarësia e Kosovës është në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, është një fitore e madhe në këtë drejtim dhe natyrshëm do të përshpejtojë procesin e njohjeve nga shtetet që deri më tani kanë pasur dilema. Hyrja në OKB dhe integrimi në strukturat euro-atlantike janë një perspektivë e sigurt e Republikës së Kosovës.
A keni marrë mbështetje të vazhdueshme nga Tirana që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, lobim për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare, apo ndikim të vërtetë në këtë pikë?
Me Tiranën zyrtare kemi raporte të shkëlqyeshme të bashkëpunimit në të gjitha sferat, dhe pa dyshim edhe në çështjet që ndërlidhen me lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të tjera të botës. Tirana zyrtare ka bërë krejt atë që ka qenë e mundur të bëhet nga ana e saj dhe në këtë pikë do të kemi koordinim edhe në të ardhmen.
(marre nga Gazeta Shqiptare)
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›