KSHH: Asnjë zgjedhës të mos jetë jashtë listës së votuesve
Komiteti Shqiptar i Helsinkit u ka bërë thirrje të gjithë zgjedhësve që të verifikojnë emrat e tyre në listat përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e 28 qershorit. Në një deklaratë për shtyp, KSHH tha se askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta për të votuar. “Sipas Kodit Zgjedhor, komisionet e zonave të administrimit xgjedhor (KZAZ-të), jo më vonë se data 3 qershor 2009, në një vend publik dhe me hyrje të lirë, duhet të shpallin listat përfundimtare të zgjedhësve. Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje të gjithë zgjedhësve (edhe atyre që janë njohur më parë me listat paraprake të zgjedhësve) që të shkojnë dhe të njihen me listat përfundimtare. Kjo është mundësia e fundit për të qenë të sigurt se emri juaj figuron në listë, dhe ditën e votimit ju mund të ushtroni lirisht të drejtën kushtetuese për të zgjedhur. Nëse ju do të konstatoni se emri juaj nuk figuron në listën përfundimtare, keni të drejtë që deri një ditë para datës së votimit, t’i drejtoheni gjykatës me anë të një kërkese. Kësaj kërkese duhet t’i bashkëngjisni një dokument nga zyra e gjendjes civile se ju jeni banor i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore dhe një vërtetim nga KZAZ-ja se ju, nuk figuroni në listën përfundimtare të qendrës suaj të votimit. Me vendimin që do të marrë gjykata në favorin tuaj, nuk do të keni asnjë pengesë që të ushtroni të drejtën e votës”, - thuhet në deklaratën për shtyp.
2 Qershor 2009