Rama në Durrës: “Karrigia e deputetit i duhet Berishës sepse ai do të jetë në opozitë”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Durrësit, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Berisha, pas atakimeve që ai i kishte bërë vendimit të Ramës për të mos kandiduar si deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Rama tha se karrigia e deputetit i duhet Berishës sepse do të qëndrojë ulur në opozitë, ndërsa vetë Rama do të qëndronte në këmbë për të punuar për ndryshimin e madh që ka nevojë Shqipëria. “Sali Berisha më bën thirrje të bëj trimërinë që të fus emrin të parin në listën e deputetëve dhe t’i braktis qytetarët e Tiranës. Por unë i them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund t’i duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, po një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet e fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, ku do të punoj bashkë me njerëzit për të realizuar programin që shkruam së bashku gjatë Dialogut me Shqipërinë, ku do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë e re si gjithë Europa”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë takimit të zhvilluar në Durrës, kreu i PS-së tha se Shqipërinë e ndajnë vetëm 27 ditë nga shkëputja përfundimtare me të shkuarën dhe nga përurimi i rrugës së politikës së re në qeverisje.
Rama tha se më 28 qershor shqiptarët duhet të zgjedhin midis politikës së re dhe koalicionit të Gërdecit dhe trazirave të pazarit të politikës së vjetër. “Me votën që keni në dorë ju do të zgjidhni mes dy rrugësh. Ose rrugën e vjetër të këtyre 18 vjetëve, që do të thotë edhe katër vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe me të tjera trazira e zullume të pazarit të politikës së vjetër. Ose rrugën tonë të re, që do të thotë ndarje me të shkuarën e me marifetçinjtë politikë të së shkuarës dhe dalje nga pazari i vjetër i numrave e i hesapeve me të cilat duan t’ju mbajnë peng edhe katër vjet të tjera gjithfarë partish e kandidatësh”, - tha kryesocialisti Edi Rama.
2 Qershor 2009