PS-ja denoncon Partinë e Punës së Re për falsifikim firmash
Shfaqet rasti i parë i falsifikimit të dokumentacionit zgjedhor të partive garuese në zgjedhjet e 28 qershorit. Partia Socialiste, nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj, ka denoncuar falsifikimin e dokumentacionit zgjedhor të Partinë e Re të Punës së Shqipërisë.
Sipas Gjonçajt, kjo parti ka falsifikuar aktin noterial, i cili përmbante një listë prej 10 296 firmash, firma këto që mbështesnin këtë parti në garën për zgjedhjet parlamentare. Edhe noterja Miranda Xhemalshe mohoi të ketë bërë noterizimin e firmave që kërkonin regjistrimin e kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit. “Kemi të bëjmë me vepër penale dhe KQZ-ja duhet të distancohet nga ky akt. KQZ-ja duhet të përjashtojë PPSH-në e Re nga lista e subjekteve politike, garuese në zgjedhjet e 28 qershorit”,- tha Gjoncaj.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i sugjeroi Gjonçajt të bëjë kallëzim në prokurori, ndërsa tha se KQZ-ja do ta rishqyrtojë dokumentacionin zgjedhor të PPSH-së e Re dhe më pas do të vendosë.
2 Qershor 2009