E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Duhet hetim i shpejtë dhe objektiv

TIRANË- Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënoi ashpër dje aktin kriminal, që i mori jetën deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi, ndërsa u bëri thirrje organeve të specializuara shtetërore për një angazhim maksimal për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi.

Përmes një njoftimi zyrtar, KSHH-ja ka kërkuar hetim të shpejtë dhe objektiv. "Hetimi i shpejtë, objektiv dhe i gjithanshëm i kësaj ngjarjeje kaq të rëndë dhe të dhimbshme, do të zbulojë motivet e vërteta që kushtëzuan kryerjen e saj",- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në njoftimin zyrtar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar edhe marrjen e masave efektive për parandalimin dhe koordinimin e luftës kundër kriminalitetit në tërësi dhe mbrojtjen e jetës së njeriut në mënyrë të veçantë.


Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u vra me armë zjarri, dy net më parë, pranë banesës së tij në Roskovec, të Fierit. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, policia dhe prokuroria ka ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të fushës.


Dobjani: Shteti të zbardhë shkaqet e ngjarjes

TIRANË- Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, është rreshtuar dje me dhimbjen e familjarëve, për humbjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Dobjani e ka cilësuar ngjarjen si tepër të rëndë.

Gjatë vizitës së ngushëllimit në familjen e deputetit Xhindi, Dobjani kërkoi nga organet shtetërore zbardhjen menjëherë të kësaj ngjarjeje të rëndë. "Shteti dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të zbardhin shkaqet e ngjarjes dhe të vënë para drejtësisë autorin e saj", -tha Dobjani.

Në çdo deklarim për mediat, gjatë ditës së djeshme, Avokati i Popullit, Dobjani, i cili e njihte personalisht deputetin e vrarë, vlerësoi kontributin e Fatmir Xhindit në jetën shoqërore dhe politike të vendit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›