E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Më përparësi kartat e identitetit, sesa pasaportat



Nëpërmjet një deklarate për shtyp KSHH rithekson si përparësore dhe urgjente pajisjen me karta identiteti të zgjedhësve që nuk kanë pasaportë. “Çdo lloj formalizmi, ngadalësimi ose mungesë organizimi mund të shoqërohej me pasoja të dëmshme. E themi këtë edhe për faktin se koha deri në zgjedhjet e 28 qershorit është relativisht e shkurtër. Shteti duhet t’u krijojë shtetasve mundësitë reale për të ushtruar të drejtën kushtetuese për të votuar”, - thuhet në deklaratën për shtyp të KSHH-së. KSHH mendon se fillimi i procesit të aplikimit të qytetarëve për pajisjen me pasaporta biometrike mund të “vështirësonte ose të ngadalësonte procesin e pajisjes me karta identiteti të zgjedhësve që nuk kanë pasaportë”. Për këtë KSHH i sugjeron Ministrisë së Brendshme të rishqyrtojë nismën për të kaluar në të njëjtën kohë edhe në aplikimin e pajisjes së shtetasve me pasaporta biometrike. KSHH u bën thirrje edhe njëherë zgjedhësve që deri sot nuk kanë aplikuar dhe nuk janë pajisur me karta identiteti, ta kryejnë sa më shpejt këtë detyrë, që garanton pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Një tjetër çështje e rëndësishme dhe përparësore është njohja e zgjedhësve me listat paraprake të shpallura. KSHH u sugjeron kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore që ta shqyrtojnë këtë çështje, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e kësaj detyre brenda afateve të përcaktuara në ligj. Gjithashtu KSHH u bën thirrje zgjedhësve të verifikojnë saktësinë e emrave në listat paraprake të shpallura dhe në rast pasaktësie ose mungese, në përputhje me ligjin, të kërkojnë korrigjimin e tyre.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›