E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Kompania nuk e ka shtrirë procesin e aplikimit në të gjithë vendin

Komisioni parlamentar për zgjedhjet zhvendoset në Drejtorinë e Gjendjes Civile. PS-PD, debate të ashpra për ecurinë e aplikimit të qytetarëve për karta identiteti

Eljona Ballhysa

Tiranë - Komisioni i posaçëm parlamentar për monitorimin e procesit përgatitor për zgjedhjet e qershorit i ka zhvilluar punimet dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë. Gjatë kësaj mbledhjeje deputetët janë informuar për ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime, ndërkohë që nuk ka munguar debati politik midis deputetëve të të dyja kampeve politike përsa i përket ecurisë së këtij procesi. Socialistët kanë ngritur si shqetësim numrin e lartë të qytetarëve pa pasaporta që nuk kanë aplikuar ende për të marrë letërnjoftimet. Ata gjithashtu kanë hedhur akuza kundrejt kompanisë së kontraktuar nga qeveria, e cila nuk e ka shtrirë procesin e aplikimit për kartat e identitetit në të gjithë territorin e vendit. Socialistët kanë vënë në dukje me shqetësim se në shumicën e komunave të vendit, ku është e përqendruar dhe popullsia, nuk janë hapur ende qendrat e aplikimit për karta. Ata gjithashtu kanë përsëritur kërkesën që qeveria t’i japë falas kartat e identitetit për personat në nevojë dhe për ata që nuk disponojnë pasaportë.
Opozita
“Ishte një mbledhje e komisionit ‘Ad Hoc’ të Parlamentit shqiptar për procesin e kartave të identitetit dhe pa dyshim përsëri u vërejt me shumë shqetësim ecuria shumë e ngadaltë në të gjithë vendin e pajisjes së shtetasve shqiptar me këtë dokument shumë të rëndësishëm. Nga përfaqësuesit e opozitës u evidentuan shkeljet e mëdha që ka i gjithë procesi, duke filluar nga mosrespektimi i kontratës koncesionare, gjë që ka sjellë mosshtrirjen e procesit në të gjithë territorin dhe, si pasojë, ka një numër shumë të ulët të pajisjes me karta të shtetasve”, - është shprehur pas mbledhjes socialisti Blendi Klosi. Sipas informacionit zyrtar nga qeveria janë më pak se 100 000 votues pa pasaportë, të cilët kanë aplikuar, ndërkohë që numri total është 800 000 të tillë në tërësi. “Pra 1/8 e tyre kanë aplikuar, ndërkohë që mbetet edhe një muaj e gjysmë nga data e fundit kur mund të aplikohet”, - është shprehur Klosi.
Deputetët e PS-së, gjatë fjalës së tyre në këtë mbledhje, theksuan se për daljen nga kjo situatë duhet një angazhim shumë i madh i qeverisë, e cila duhet të marrë masat për dhënien falas të letërnjoftimeve. Deputetët e PS-së u shprehën se një ndër arsyet e mospajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti është pamundësia ekonomike. Deputetët e PS-së gjithashtu ngritën shqetësimin se nisja e procesit të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike do të konfuziojë procesin e aplikimit për karta. “Pa dyshim që ishte një shqetësim i anëtarëve të opozitës në komision, ku kemi kërkuar që procesi i aplikimit për pasaporta biometrike të frenohet, pasi e konfuzion procesin e aplikimit për karta identiteti. Por, nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë, u dha garancia që nuk do të ketë konfuzion midis dy proceseve. Ne mendojmë se aplikimi paralel edhe për pasaportat biometrike, që ka nisur sot, është një problem, që qeveria duhet ta kishte evituar”, - është shprehur Klosi.
Maxhoranca
Në emër të deputetëve të PD-së në Komisionin e posaçëm parlamentar për zgjedhjet ka reaguar pas mbledhjes Tritan Shehu. Ai u shpreh se opozita, në vend që të nxisë qytetarët të aplikojë për kartat, bën deklarata politike, të cilat sjellin konfuzion. Ai bëri thirrje që opozita të lërë mënjanë politikën dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për kartat e identitetit. Shehu shtoi se procesi i aplikimit për karta është në rrugë të mbarë dhe po ecën me ritme normale. Ai tha se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë drejtim.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›