ALUIZNI shpërndan 200 leje legalizimi në Tiranë
Ashtu sikurse ishte parashikuar në kalendarin e saj javor, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ka vazhduar ditën e djeshme shpërndarjen e 200 lejeve të legalizimit në Tiranë. Sipas kreut të ALUIZNI- t, Shaban Memia ky proces nuk është politik, por një reformë shumëdimensonale, që kërkon vullnet të mirë politik, sipas së cilit disa segmente të jetës politike kanë shprehur qëndrim jo mbështetës.
Procesi dhe reforma e ndërmarrë e kësaj qeverie zgjidh problemet e shqiptarëve në mënyrë të barabartë dhe brenda dy javëve nga çasti i marrjes së lejes së legalizimit, prona bëhet pjesë e regjistrit të pasurive të paluajtshme, ka theksuar Memia duke ftuar të gjithë të bëjnë shlyerjen e detyrimeve financiare, të cilat, sipas tij janë shifra simbolike. Ndër të tjera ai theksoi se të ardhurat nga kalimi i pronësisë do të shkojë në masën 80 % për kompensimin e ish pronarëve dhe 20 % do t'i kalojë organeve të qeverisjes vendore për ndërtimin e infrastrukturës në zonat përkatëse. Duke u ndalur në shifra konkrete, Memia u shpreh se për rreth 3 000 objekte tashmë janë shlyer detyrimet financiare, rreth 40 000 objekte janë në proces, ndërsa mbi 12 mijë pasuri, shtëpi, apartamente, dyqane apo struktura social-ekonomike janë legalizuar. Ndërsa kreu i Drejtorisë së Legalizimit të Tiranës, Agim Berisha e cilësoi reformën e madhe ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj agjencie, aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likujdimit të detyrimeve financiare nga qytetarët. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor.