OJF-të e palicencuara, paditen në gjykatë dy prej tyre
Paditen në gjykatë dy prej OJF-ve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë. Burime zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) bëjnë të ditur se ky institucion ka bërë kallëzim penal në gjykatë për dy prej OJF-ve, emri e të cilave nuk bëhet i ditur, për mbylljen e aktivitetit të tyre. “Lufta” për identifikimin e OJF-ve, që nisi fill pas deklaratës së ministrit të Punës, Anastas Duro, pritet të finalizohet së shpejti. Për këtë, Shërbimi Social do të publikojë në ditët në vijim një listë me të gjitha OJF-të që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në vendin tonë. Aktualisht, në vendin tonë operojnë rreth 157 OJF, nga të cilat 93 janë të licencuara, kurse 64 të palicencuara. Kryeqyteti renditet i pari për numrin më të lartë të OJF-ve të palicencuara në vend, në të cilin ushtrojnë aktivitet të paligjshëm 22 OJF. Gjatë vitit 2008 janë inspektuar për të vlerësuar aktivitetin, në kuadër të licencimit dhe rilicencimit, 69 OJF. Gjithashtu, janë përgatitur vlerësimet e tyre që janë shtuar në dokumentacionin e licencimit apo rilicencimit. Ndërkohë që Sektori i Inspektimit dhe Licencimit të OJF-ve gjatë punës së tij po vazhdon të evidentojë shoqata të palicencuara dhe ka komunikuar me to për të filluar procedurën e licencimit. Nga inspektimi i shoqatave të palicencuara në qarqe, si dhe në bashkëpunim me Zyrat Rajonale të Shërbimeve Sociale, rezultojnë 64 të tilla. Specialistët e Shërbimit Social shpjegojnë se për arsye të mungesës së sanksioneve për OJF-të e palicencuara, me gjithë kërkesën e vazhdueshme të SHSSH-së drejtuar OJF-ve për t’u licencuar, nuk ka një dëshirë të mirë të tyre për të paraqitur dokumentacionin pranë SHSSH-së. Nga Sektori i Inspektimit dhe Licencimit të OJF-ve është punuar në drejtim të përmirësimit të VKM Nr.564, “Për Licencimin e Ofruesve të Shërbimeve të Përkujdesjes Sociale”, që të lehtësohet kjo procedurë dhe në këtë mënyrë OJF-të të paraqiten me vullnetin e tyre. Organizatave jofitimprurëse që operojnë në mënyrë të paligjshme do t’u mbyllet aktiviteti nëse nuk do të zbatojnë afatin e licensimit.
Qarku OJF-të
Tiranë 22
Durrës 9
Elbasan 3
Gjirokastër 0
Berat 4
Fier 0
Vlorë 2
Korçë 5
Shkodër 3
Lezhë 5
Dibër 8
Kukës 3
7 Mars 2009