E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, njësitë vendore shpallin listat paraprake të zgjedhësve



Njësitë vendore në kryeqytet kanë shpallur listat paraprake të zgjedhësve, të cilat janë afishuar në qendrat përkatëse të votimit. Aktualisht janë afishuar të gjithë emrat e personave dhe adresat e sakta në qendrat e votimit që tashmë janë përcaktuar si: shkolla, kopshte apo çerdhe. Në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme tashmë është vendosur lista e zgjedhësve të Republikës së Shqipërisë, ku për secilin zgjedhës përcaktohet adresa e saktë dhe qendra e votimit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u shpreh se të gjithë qytetarët e interesuar tashmë kanë mundësinë që nëpërmjet kësaj faqeje të mund të gjejnë emrin e tyre me një klikim në listën e zgjedhësve në internet. Por nga ana tjetër, kryetarët e njësive bashkiake shprehin shqetësimin se një pjesë e qytetarëve nuk kanë adresa. Sipas kryetares së Njësisë Bashkiake Nr. 1, Lindita Nikolla, po bëhet verifikimi për këta persona, por ata mbeten kontigjenti më problematik. Deri në datën 6 prill, të gjithë qytetarët do të njoftohen për qendrat e tyre të votimit nga punonjësit e njësive vendore.

Bashkia, shërbimet sociale që ofrohen në ndihmë të komunitetit
Së shpejti, kryeqytetit do t’i shtohen tri qendra sociale ditore, për të gjitha kategoritë në nevojë. Pjesë e projektit në ndihmë të qytetarëve në nevojë do të jenë Qendrat Komunitare Ditore për Personat me Aftësi të Kufizuar, për personat e vetmuar, për të papunët, për të pastrehët etj. Për vitin 2009, ky program do të financohet në shumën prej 243.246.700 lekë. Për herë të parë gjatë këtij viti e në vazhdim, Bashkia e Tiranës ka lançuar Fondin Social dhe të Solidaritetit, duke sjellë një rritje në buxhet prej 17% më shumë se viti 2008. Kështu, qendra polifunksionale do të jetë një shërbim i ri gjatë këtij viti, i cili do t’u ofrojë asistencë dhe përkujdesje grupeve miks të kategorive në nevojë. Nëpërmjet kësaj do të ofrohen shërbime të integruara për të rinjtë, gratë, fëmijët, moshën e tretë etj. Kjo qendër do të ngrihet në Njësinë Bashkiake Nr. 7. Një tjetër investim i Bashkisë është Qendra Ditore për të Moshuarit e Vetmuar, e cila do të ngrihet në Njësinë Bashkiake Nr. 6. Qendra e tretë ditore për fëmijët e rrugës do të fillojë ofrimin e shërbimeve sociale gjatë këtyre muajve, duke siguruar mbështetje profesionale dhe ekspertizë ndërkombëtare dhe largim nga rruga për fëmijët që lypin dhe punojnë. Projekti është pjesë e Njësisë Bashkiake Nr. 9. Fondi i Solidaritetit parashikon që 1700 fëmijë në vështirësi sociale nga shkollat e periferisë do të vazhdojnë të marrin shërbime sociale, kulturore dhe edukative nëpërmjet shkollave të verës.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›