KUÇOVE/ Një rrugë e re deri në Dumre
KUÇOVE - Më në fund ka përfunduar dilema e një rruge prej 34 kilometër që lidhë zonën e Dumresë me qytetin e Kuçovës. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se një fond prej 1.2 milion dollarë është dhënë për ndërtimin e aksit rrugor Kuçovë–Dumre, i cili prej vitesh ka qenë një ëndërr për banorët e 20 fshatrave të zonës së thellë. Drejtuesit e bashkisë shprehen se ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ana e tyre për të siguruar një fond për ndërtimin e kësaj rruge. Ajo do të përshkojë dhe komunën e Kozares. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se rruga po ndërtohet me dy korsi dhe me trotuare e ndriçime në zonat e banuara. Sipas specialistëve, rruga 34 km e gjatë do të ndikojë dhe në zhvillimin ekonomik të kësaj zone, e shquar për prodhimet e saj bujqësore dhe blegtorale. Zona e Dumresë i përket qarkut të Elbasanit, por për shkak të largësisë me qendrën e këtij qyteti, banorët i zgjidhin problemet në Kuçovë. d.xh