Mat, 60 policë një vit pa rrogën shtesë, familjarët letër Bashës
BURREL - Të paktën 60 efektivë të komisariatit të policisë Mat nuk kanë gjetur asnjë hapësirë ligjore për të zgjidhur shqetësimin e tyre, të marrjes së pagës për orët shtesë të punës. Nuk kanë arritur të ankohen as në Drejtorinë e Policisë Qarkut të Dibrës, as në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, as në Ministrinë e Brendshme dhe as në organin e akuzës. Kjo vjen nga frika se pas çdo ankesa ato mund të flaken në rrugë. Për të zgjidhur shqetësimin e tyre është gjetur një mënyrë e veçantë. Të afërmit e punonjësve të policisë i janë drejtuar me një letër ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, madje i kërkojnë atij të ndërhyjë për zgjidhjen e kërkesave të punonjësve të policisë Mat. As familjarët nuk duan të identifikohen, por thotë se dy ditë më parë i kanë adresuar ministrit Basha me një letër ku përshkruajnë qartë shqetësimet e më shumë se 60 punonjësve të policisë të komisariatit të Burrelit. “Ka kaluar më shumë se një vit dhe efektivat e policisë së Burrelit nuk kanë marrë nga komisariati i policisë orët shtesë të shërbimit, orët e natës, sigurimin e rendit e qetësisë në zgjedhjet e fundit politike dhe në ndeshjet e futbollit”. Duke vijuar në argumentet e tyre familjarët thonë se “të punësuarit në policinë e Matit kanë frikë të ankohen sepse sa herë ata kanë tentuar ta ngrenë këtë problem janë gjendur të kërcënuar për vendet e tyre të punës, ndërkohë specialistët e SHKB-së janë të paaftë ose nuk duan të zbardhin të vërtetën e shqetësimeve të punonjësve të policisë së këtij rrethi. Nga shtatori i vitit të kaluar punonjësit e Komisariatit të Matit nuk përfitojnë atë që u jep ligji, atë që komisariatet e tjera në vend e përfitojnë. Ata marrin të gjitha shërbimet shtesë që kryejnë, ndërkohë më shumë se 60 punonjës të policisë së Burrelit nuk shpërblehen për punën e bërë”. Siç pohojnë në letër, hapi i fundit që do të ndërmarrin është një padi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, duke kërkuar hetimin e plotë të veprimeve a mosveprimeve të degës së financës në këtë komisariat policie.