KURBIN/ Vodhën shkollën, pranga adoleshentëve
KURBIN - Njëzet ditë pas vjedhjes së kryer në shkollën 9-vjeçare nr.5 në qytetin e Laçit, policia ka mundur të gjejë sendet e vjedhura si dhe të arrestojë edhe dy autorët. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, pas një pune hetimore të mirorganizuar, u bë i mundur dokumentimi ligjor i mekanizmit të vjedhjes së shkollës, ku u mor 1 kompjuter, një printer dhe aksesorë. Burimet saktësuan se autorët janë identifikuar si E.Gj., 14 vjeç si dhe vëllai i tij 15-vjeçar, Gj.Gj. Ky i fundit ka qenë dënuar më parë për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Do të jetë Prokuroria e rrethit Kurbin që do vendosë mbi masën e arrestit të dy adoleshentëve, të cilëve u janë gjetur edhe sendet e vjedhura në banesë.