E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi nga kreu i ZQRP Arben Qirjako, pas kontrolleve që nga viti 2007 në vitin 2010 Furtunë në Hipotekën e Shkodrës Shkarkohen nga detyra 7 punonjës për abuzime

Furtunë në Hipotekën e Shkodrës. Shtatë punonjës të saj janë larguar nga puna dhe 5 të tjerë janë paralajmëruar për shkarkim.

Vendimi është marrë nga Zyra Qendrore e Tiranës, pas konstatimeve të abuzimeve. Ato u shfaqën pas 2 kontrolleve të ushtruar mbi dokumentacionin e Hipotekës së Shkodrës mbi veprime të kryera prej janarit të vitit 2007 deri në maj të vitit 2010. Raporti përfundimtar i Tiranës, i shkruar në një material prej 70 faqesh dhe firmosur nga drejtori Arben Qirjako, përmbledh rezultatet e kontrollit tekniko–ligjor që Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive ka bërë në Hipotekën e Shkodrës. Kontrolli në ZRPP në Shkodër është bërë në dy faza: e para, nga data 6-23 prill 2010 dhe faza e dytë 4-28 maj. Burime nga kjo zyrë bëjnë të ditur se objekt i kontrollit ka qenë zbatimi i ligjshmërisë dhe i procedurave teknike në regjistrimin e pasurive për të gjitha dosjet, të cilat i përkasin periudhës nga janari i vitit 2007 deri më 15 maj 2010. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se janë kontrolluar 141 zona kadastrale, nga të cilat 7 zona janë urbane. Fillimisht grupi i punës në Hipotekën e Shkodrës ka sjellë një raport paraprak, ku janë shënuar të gjitha shkeljet e konstatuara nga kontrolli i ardhur nga Tirana dhe më pas u është lënë hapësirë punonjësve të kësaj zyre që të bëjnë observacionet e tyre. Grupi i punës pasi ka shqyrtuar ankesat e punonjësve në lidhje me vërejtjet për punën e secilit dhe për masat e propozuara, vetëm pak ditë më parë ka sjellë pranë titullarit të kësaj dege raportin përfundimtar. “Krahas vlerësimeve për punën e konstatuar në përgjithësi, grupi i kontrollit ka parashtruar vërejtjet e konstatuara nga inxhinierët apo juristët e kësaj zyre. Masat janë marrë pasi u shqyrtuan dhe këto reagime”, pohojnë kështu burime nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Shkodër. Probleme me hartat, zhvendosje sipërfaqesh në pronësi apo dhe mosrespektim të akteve ligjore dhe nënligjore për veprime hipotekore që kanë bërë dhe që mbajnë firmat e personave përkatës. Këto kanë qenë disa nga mangësitë që kontrolli ka konstatuar në këtë zyrë të regjistrimit të pasurive. Ndërkohë mësohet se raporti ka përcaktuar largimin nga puna për 7 punonjës të kësaj zyre si dhe paralajmërimin për 5 të tjerë. Urdhri për shkarkimet nga puna dhe paralajmërimet me firmën e kreut të Hipotekës ka mbërritur në zyrën rajonale më 29 korrik. Deri tani janë zëvendësuar 5 nga 7 të larguarit. Të punësuarit kryesisht janë me eksperiencë në punë, pasi Hipoteka kërkon inxhinierë dhe juristë me përvojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›