E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga në Shëngjin të kërkuarit malazez



LEZHE - Ka mjaftuar një urdhër-arresti dhe një fotografi që policia e Lezhës të vërë në pranga një shtetas malazez të kërkuar. Ai kishte zgjedhur Shëngjinin për t’i shpëtuar arrestimit në Mal të Zi. Edhe pse kishte nënshtetësi amerikane, malazezi e kishte të pamundur për t’u larguar për në Amerikë nga Rinasi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia e Lezhës ka arrestuar Hadzija Hiroviç, 40 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se arrestimi i malazezit është kryer për arsye se 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana e Interpolit, pasi Gjykata e Podgoricës ka lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij për veprën penale të “posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shitje”. Për këtë vepër ai është dënuar me 1.7 vjet heqje lirie gjashtë muaj më parë. Pas ndalimit, ai u shoqërua në policinë e Lezhës për të bashkëpunuar më pas me anë të Interpolit për ekstradimin e tij në Mal të Zi. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›