E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAZ-të, PS paraqet listën e anëtarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të përmbyllë sot miratimin e të gjitha listave për anëtarë KZAZ-je

TIRANË- Në limitet kohore, që përcakton Kodi Zgjedhor, ka marrë zgjidhje problemi i ngritjes së Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Partia Socialiste ka mundur dje që të dorëzojë listën e saj me 167 kandidatë për anëtarë KZAZ-je, dhe sot, Komisioni Qendror i Zgjedhor pritet të bëjë miratimin formal të tyre. Ndërkohë, konform ligjit zgjedhor, PS-ja ka paraqitur dhe një listë prej 33 emrash të tjerë për sekretarë të këtyre komisioneve.

Propozimet e PS-së kishin bllokuar procesin e ngritjes dhe konstituimit të KZAZ-ve, pasi dy ditë më parë, KQZ-ja miratoi listat e PR-së dhe PSD-së dhe pjesën dërrmuese të PD-së. Nga të 66 KZAZ-të, PD-ja nuk ka propozuar ende anëtarët e saj në vetëm 7 prej tyre dhe konkretisht ato me numër 12, 13 dhe 14 në Elbasan dhe 4 të tjera me numër 40, 41, 42 dhe 44, në Qarkun e Shkodrës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një nga vendimet e tij të mëparshme, ka përcaktuar partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë KZAZ-je.

Sipas këtij vendimi, PD-ja, PS-ja, PR-ja dhe PSD-ja, kanë të drejtë të përfaqësohen në këto komisione dhe, për rrjedhojë, kanë të drejtë edhe të paraqesin kandidat për anëtarë. Ndërkohë që, në bazë të shortit të hedhur, po nga KQZ-ja, është përcaktuar se PD-së i lind e drejta të propozojë anëtarin e shtatë në KZAZ-të me numër çift, ndërsa PS-së në ato me numër tek.

Nga shqyrtimi i listës së propozimeve të paraqitura nga tre forcat e para, rezulton se vetëm PD-ja është përpjekur që të respektojë ligjin e barazisë gjinore, duke pasur në listat e saj gati një të tretën e anëtarëve femra. Ndërkohë që, dy partitë e tjera, PSD-ja dhe PR-ja, nga 66 anëtarë që duhet të kenë, kanë propozuar shumë pak femra (PR-ja 10 dhe PSD-ja 7) .

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›