E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri: Licencat miratohen për 4 ditë

Aplikohet edhe miratimi në heshtje. QKL-ja është e detyruar që të kthejë përgjigje, 2-4 ditë nga kërkesa

Nga muaji prill, licencat dhe lejet për aktivitete tregtare, do të merren në një qendër të re licencimi


Një sportel i vetëm do të mjaftojë për të aplikuar dhe marrë një leje, licencë ose autorizim për të ushtruar një aktivitet biznesi. Nga muaji prill do të krijohet Qendra Kombëtare e Licencave, e cila do të funksionojë, në filozofi, në mënyrë të ngjashme me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve.

Personat e interesuar do të dorëzojnë dokumentet e kërkuara për të marrë leje dhe licenca, të cilat variojnë nga ushtrimi i së drejtës për prodhim ushqimesh, armësh, hapjen e një universiteti, deri të shfrytëzimi i minierave dhe pasurive të tjera kombëtare. Ligji i ri, që hyn në fuqi muajin e ardhshëm, parashikon një element interesant; miratimin e lejes në heshtje.

Qendra Kombëtare e Licencimit do të miratojë ose refuzojë aplikimin e çdo personi nga dy deri në katër ditë, në varësi të tipit të kategorisë së lejes ose licencës. Nëse brenda këtij afati kohor, QKL-ja ose filialet e saj nuk publikojnë vendimin mbi refuzimin ose miratimin e aplikimit, atëherë leja ose licenca, miratohen në mënyrë automatike. Aplikimi për leje mund të bëhet duke dorëzuar dorazi dokumentet në njërin nga sportelet e QKL-së, në mënyrë elektronike, ose me postë zyrtare.


Kategoritë


Lejet dhe licencat, me ligjin e ri, janë ndarë në tri kategori. Në kategorinë e parë futen ato leje dhe licenca, për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve bazohet vetëm në vetëdeklarimet e kërkuesit.

Për këto lloj licencash, QKL-ja merr në shqyrtim kërkesat për grupin e parë, sipas radhës së paraqitjes së tyre dhe merr vendim në një afat prej dy ditësh pune, nga data e paraqitjes së kërkesës. Në kategorinë e dytë përfshihen ato kategori, për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve, përveçse në vetëdeklarimet e kërkuesit, bazohet, për të paktën njërin nga kushtet, edhe në dokumentet provuese, të paraqitura nga kërkuesi.

Afati kohor i miratimit ose refuzimit për këto lloj lejesh dhe licencash, është katër ditë, në të kundërt, ato miratohen automatikish. Kategoria e tretë, përveç QKL-së, në shqyrtimin e tyre përfshihet edhe institucioni, i cili ka nën varësi direkte fushën që preket nga aktiviteti ekonomik dhe tregtar, për të cilin merret kjo leje. Menjëherë pas miratimit nga QKL-ja, kërkesa i dërgohet për shqyrtim institucionit, i cili është i detyruar të bëjë publik miratimin ose refuzimin.

Në rast se përgjigja pozitive ose negative nuk bëhet publike nga institucioni, atëherë leja, licenca apo autorizimi, vlerësohet nga Qendra Kombëtare e Licencimit, si miratim në heshtje nga ana e institucionit tjetër.

Dokumentet

1. Kërkesa për licencë/autorizim/leje apo nënkategori të tyre, paraqitet në QKL, sipas procedurave të nenit 34 të këtij ligji.
2. Kërkesa përbëhet nga formulari tip i plotësuar dhe dokumentet shoqëruese përkatëse.


3. Formulari tip përmban, të paktën, këto të dhëna:
a) emërtimin e kategorisë /nënkategorisë;
b) llojin e veprimtarisë, veprimit apo të së mirës publike e të përdorimit të saj;
c) të dhënat për identifikimin e kërkuesit dhe të personit që paraqet kërkesën;
ç) vendin apo vendet e ushtrimit të veprimtarisë, të kryerjes së veprimit apo përdorimit të së mirës;


d) të dhëna të tjera specifike, sipas kategorisë /nënkategorisë;
dh) deklaratën e kërkuesit, që vërteton se i njeh kriteret e licencimit/autorizimit/lejimit dhe i përmbush ato (për kriteret, përmbushja e të cilave vetëdeklarohet);
e) deklaratën për vërtetësinë e dokumenteve shoqëruese dhe/ose që i njeh dhe/ose i pranon detyrimet e licencimit/autorizimit/lejimit dhe do t'i përmbushë ato;
ë) adresën për komunikim;
f) listën e dokumenteve shoqëruese që duhet paraqitur.


4. QKL-ja nuk mund të kërkojë paraqitjen e dokumenteve apo dhënien e informacioneve të tjera, të paparashikuara në formular.


5. Formulari i plotësuar dhe dokumentet shoqëruese, për çdo kërkesë të paraqitur, publikohen nga QKL-ja në regjistër, brenda ditës së nesërme të punës nga data e paraqitjes së kërkesës.


Refuzimi


QKL-ja refuzon kërkesën nëse:
a) personi, që ka paraqitur kërkesën, nuk është personi që mund të paraqesë kërkesën, sipas këtij ligji;


b) formulari i plotësuar nuk është i plotë apo përmban korrigjime dhe përmbajtja e tij nuk duket qartë, apo është e palexueshme;
c) nuk janë paraqitur të gjitha dokumentet e tjera shoqëruese, ato nuk janë paraqitur në formën e kërkuar apo përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tyre nuk duket qartë apo është e palexueshme;
ç) kërkuesi nuk përmbush kriteret përkatëse të licencimit/autorizimit/lejimit;
d) nuk është kryer pagesa e tarifës së shërbimit.
5. Nëse rast të kundërt, QKL-ja e miraton kërkesën.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›