Kuvendi: “Ok”, shkurtimeve buxhetore, nuk preken investimet dhe pagat e pensionet
Në seancën e djeshme plenare u miratuan gjithashtu edhe ndryshimet buxhetore për vitin 2011. Deputetët miratuan në tërësi dhe nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.355, datë 2.12.2010”. Në emër të Komisionit për ekonominë dhe financat relatoi kryetari Edmond Spaho, i cili tha se “masa e ndryshimit e parashikuar në projektligj është reduktimi i shpenzimeve në rreth 4,5% % të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Sipas relacionit, ndryshimet e përllogaritura nga Ministria e Financave erdhën si rrjedhojë e konsultave dhe negociatave me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura buxhetore, për të siguruar respektimin e prioriteteve institucionale. Këto ndryshime nuk prekin objektet prioritare dhe ato me ecuri pozitive; ato nuk cenojnë kryerjen e funksioneve bazë të ministrive dhe institucioneve, por janë përqendruar në shpenzimet operative.
Fondet e buxhetit vendor janë korrigjuar në bazë të performancës së mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor.