Kabaja përmetare, në Pallatin e Arteve të Bukura, në Bruksel
“Ballkan Trafik” është një festival ndërkombëtar i përvitshëm që zhvillohet në Bruksel, në Pallatin e Arteve të Bukura (Palais des Beaux-Arts). Në edicionin e sivjetshëm, “Ballkan Trafik – 2010”, nga Shqipëria, mori pjesë Shoqëria Kulturore “Elena Gjika – Dora D’Istria, Përmet” , nën drejtimin e zotit Niko Mihali, përgjegjës menaxher.
Pa vajtur ende ora e shfaqjes, përpara hyrjes së Sallës M, njërës prej më të mëdhave të Pallatit, kishin zënë radhën dhe prisnin shumë artdashës shqiptarë dhe të huaj, muzikantë dhe muzikologë të interesuar për artin popullor shqiptar, përfaqësues të shtypit dhe të mjeteve të tjera të informacionit belg e të huaj. Morën pjesë në evenimentin kulturor përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, në krye me Ambasadoren, zonjën Mimoza Halimi, përfaqësues të Misionit Shqiptar në NATO, përfaqësues të shoqatave dhe të klubeve shqiptare në Bruksel dhe në qytete të tjera të Mbretërisë.
Ishte e pranishme edhe zonja Teuta Topi, bashkëshorte e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Zonja e Parë u ndodh në Bruksel për të marrë pjesë në një sezon të jashtëzakonshëm të Forumit të Kransmontanës, ku u diskutua çështja e promovimit të të drejtave të gruas.
Në orën 20.30, pas një përshëndetjeje të shkurtër të zotit Niko Mihali, i cili vuri në dukje vlerat e artit popullor shqiptar dhe paraqiti pjesëtarët e grupit, në sallë buçiti kabaja përmetare. Klarinetistët e talentuar Josif Shukallari dhe Ligor Pecallari, fizarmonicisti Kostandin Nikolla, në shoqërinë e dajres së Aleksandër Nikollës dhe të lahutës së udhëheqësit artistik, Qirjako Vangjelit, befasuan publikun e pranishëm me talentin dhe me mjeshtërinë e tyre artistike. Emocione të rralla ngjalli ndër bashkatdhetarët orkestrina e vogël përmetare, e cila solli nga larg dhe u dhuroi atyre një copë nga viset jugore të Atdheut. Kur dëgjoje klarinetën e parë të Josifit ndjekur nga ajo Ligorit, të bëhej se ndieje ujërat e Vjosës në rrjedhje e sipër, herë të qeta që ndjellin paqe e begati, herë të rrëmbyera, të zhurmshme, si kushtrim lufte për liri. Lahuta e mjeshtrit Qirjako dhe dajrja e të riut Aleksandër, të kujtonin bubullimat e Dhëmbelit e të Nemërçkës, furinë e erërave që zbret prej tyre mbi luginë. Fizarmonika e Kostandinit plotësonte mjedisin muzikor shqiptar me ison tradicionale.
Shumë gjatë u duartrokit “Kabaja e Laver Bariut”, luajtur nga Josif Shukallari. Ajo herë hiqej zvarrë thua se ndieje vajin e një nëne të përzhitur, herë shpërthente gazmore, thua se shoqëronte vallet e dasmave tona të hareshme.
Mbresa të pashlyeshme lanë këngëtaret Donika Pecallari dhe Luljeta Ilia me zërin e tyre të plotë si buçimat e kanioneve të Lengaricës a të Bënjës, si gurgullima e Ujit të Zi, në grykën e Këlcyrës. Talenti i padiskutueshëm dhe mjeshtëria në përdorimin e vokalit të tyre të rrallë, nxitën duartrokitje të zgjatura në sallë. Një duet i përsosur do të thoshte pas shfaqjes një gazetare angleze, mike e shqiptarëve, që ka mësuar të flasë gjuhën tonë.
Ndërsa ne, shqiptarët, përjetuam afro dy orë një copë Shqipëri, dashamirët e artit tonë popullor shoqëruan me duartrokitje ose me lëvizje ritmike të duarve dhe të trupit, ritmet që solli orkestrina në sallë. Sepse muzika jonë popullore të bën të lëvizësh nga vendi, edhe sikur të jesh i gozhduar, ajo të nxit dëshirën e vallëzimit, ngre edhe të vdekurin nga varri. Grupi përmetar kishte në repertorin e vet edhe pjesë orkestrale korçare ose myzeqare, ndërsa Donika dhe Luljeta, përveç të tjerave, kënduan edhe “Këngën e Tamburasë” plot ritëm, edhe “Gjethëzën” melodioze.
Krijuar njëzet vjet më parë, më 1990, Shoqëria Kulturore “Elena Gjika – Dora D’Istria, Përmet”, ka marrë pjesë në shumë veprimtari artistike, si edhe në festivale kombëtare e ndërkombëtare në Greqi, Gjermani, Norvegji, Francë etj. Zoti Niko Mihali, përgjegjës dhe menaxher, thotë se suksesi në rritje i grupit është arritur falë punës së palodhur të Mjeshtrit Laver Bariu, për t’ua kaluar brezave dashurinë ndaj muzikës përmetare, si edhe mjeshtërinë e vet artistike. Tashmë, në moshë të thyer, Mjeshtri i paarritshëm përmetar, në pamundësi fizike për t’i ndjekur të rinjtë në evenimente kulturore, bredh me ta vend më vend përkrah kabave, përkrah klarinetave, lahutave dhe tamburave, njësh me “brumin e ardhur” që ka zënë me duart e veta dhe me pasion të admirueshëm.
Në fund fare, pas përgëzimeve të rastit dhe pas gëzimit të ligjshëm për arritjen e merituar, një foto-kujtim nga Brukseli, në prani të Zonjës së Parë e të zonjës ambasadore.
E.Babani