E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumf historik i të djathtës në Hungari, fiton dy të tretat e votave

Partia popullore “Fidesz” e ish-kryeministrit Orban ka marrë thuajse dy të tretat e votave, duke regjistruar një epërsi historike ndaj të majtës, por edhe duke u prezantuar si alternativa e duhur për kohërat e vështira që po kalon ekonomia hungareze

Sondazhet e para, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në të gjithë Hungarinë konfirmuan një triumf të së djathtës, e cila mendohet se ka regjistruar avantazhin më të madh ndaj së majtës, qëkur ky vend rifilloi të mbante zgjedhjet shumëpartiake, në fillim të viteve ’90. Partia opozitare e qendrës së djathtë, Fidesz, e cila aderon në bashkimin e Partive Popullore Europiane mendohet se do të fitojë 54 përqind të votave dhe një shumicë edhe më cilësore të parlamentit të ardhshëm, socialistët janë ndalur në pragun e 20 përqindëshit, ndërkohë që një formacion politik i ekstremit të djathtë, i quajtur Jobbik (të pastrit) mendohet se do të marrë 17 përqind të preferencave të hungarezëve, sipas një sondazhi paraprak të publikuar nga e përditshmja “Nezopont”, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit. Sipas një përllogaritjeje më specifike, të djathtët e Fidesz mendohet të marrin 270 vende në parlamentin e ardhshëm, socialistët 55 vende, ekstremistët e Jobbik 49 vende dhe ekologjistët dhe liberalët nga 12 vende secili. Ky triumf duket se s’ka lidhje vetëm me krizën ekonomike që ka provuar Hungaria këto vite, por së pari me programin elektoral që ka paraqitur kandidati për kryeministër Viktor Orban. Partia Fidesz ka premtuar të shkurtojë taksat dhe të krijojë një milion vende të reja pune gjatë 10 vjetëve të ardhshme. Ndërsa përkrahja për ekstremistët e Jobbik mendohet se ka ardhur kryesisht nga rritja e frymës anti-rome dhe anti-semite në Hungari. Disa romë u vranë gjatë dhunës në vend vitin e kaluar. Ende s’janë të qarta rezultatet finale, por nëse partia Fidesz arrin të fitojë dy të tretat e vendeve në parlament, ajo mund të ndryshojë edhe kushtetutën e vendit. Një zëdhënës i partisë tha se Fidesz nuk do të formojë koalicion me ndonjë parti tjetër, duke e cilësuar bashkëpunimin me socialistët të pamundur dhe partinë Jobbik tepër ekstreme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›