E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj: Drejtësia do të fitojë, e aty ku është drejtësia jam unë

Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 19:35

(E plotësuar) Në Gjykatën e Qarkut ka vazhduar edhe pjesa e dytë e seancës statusore ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili njëherit është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj si dhe ndaj 9 ish-luftëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ndaj tyre është lexuar aktakuza për kinse “krimet e kryera ndaj civilëve dhe të burgosurve të luftës”, të cilën aktakuzë ata e kanë mohuar.

Gjatë seancës Fatmir Limaj ka shpreh gatishmërinë e tij, që në çdo kohë dhe në çdo moment të përballet me drejtësinë e vendit, duke thënë se i beson sistemit dhe gjyqtarit, por jo edhe individëve, të cilët mundohen që të bëjnë dezinformata për te dhe familjen e tij.

Limaj ka thënë se me qenë se Prokuroria po kërkon kokën e tij pa dëshmi, ai kërkoi që të lirohen shokët e tij dhe të ballafaqohet Prokuroria vetëm më te.

Kurse, avokatët mbrojtës paraqiten dëshmitarët e tyre dhe kërkuan që të tërhiqen deklaratat e dëshmitarit X.

Ndërkaq, pas përfundimit të seancës Limaj theksoi se ka vite që atakohet në publik, në media, por parimi i tij për të shkuar drejt drejtësisë, drejt ndërtimit të shtet ligjor dhe duke mos u deklaruar diku tjetër, e ka bërë të rezervuar deri sot.

“Ne këtu akuzohemi për një grup çetnikësh serb, të Aranit dhe Sheshelit, kjo është akuza që akuzohemi dhe nesër është përvjetori i Komandant Kumanovës dhe gjithë dëshmorëve të brigadës 121 dhe në vend që të jemi aty, duhet të ballafaqohemi me gjyq dhe ka ardhur koha që krimineli të bëhet hero, e heroi, ose ai që ka bërë diçka për vendin e tij, të tentohet ose komprimitohet, ose të kriminalizohet. Dhe unë ju siguroj që me faktet që i kemi, ne nuk do të lejojmë që të ndodhë një gjë e tillë, sepse nuk do të lejojmë të ndërrohet historia, krimi dhe kriminelët në Kosovë kanë qenë forcat serbe dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai shtoi se nuk e ndien vetën fajtor për atë që pretendon pala akuzuese dhe pret që mos të konfirmohet aktakuza, por edhe nëse konfirmohet janë të gatshëm të ballafaqohen me fakte dhe argumente, sepse tash flasin provat e jo shpifjet, që janë bërë në media nga zyra e prokurorit.

“Jam lëshuar në disa pika të komentimit të aktakuzës, në tri katër raste, të cilat dëshmojnë qartë se prokurori e ka humbur rrugën e drejt, nuk i intereson e vërteta, atij i intereson e vërteta e tij dhe shkon mbrapa sy mbyllur në dhënien e dëshmitarit të pa kuptuar, që ka vetëm një qëllim, për të arritur objektivin e tij dhe objektivi i tij arrihet ashtu siç ka thënë në media njëri nga oficerët e EULEX-it, ‘ata do ta mund ta llogaritnin nëse do ta kapnin kokën e tij’, kështu ka thënë, patë ose nuk patë fakte, dhe ju e patë që këtë e prezantova në gjykim. Po unë ju siguroj, se unë besoj në drejtësi, besoj në vendin tim, besoj në sistemin e këtij vendi që po e ndërtojmë dhe e di që drejtësia do të fitojë, e aty ku është drejtësia jam unë”, ka thënë Limaj.

Limaj po ashtu tha se çdo gjë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së ka burimin te UDB-a serbe, pasi që sipas tij sistemi i Serbisë nuk ka ndryshuar, është i njëjti në të gjitha rrafshet.

Limaj u ndal edhe te deponimi i listës së dëshmitarëve, duke thënë se janë të gjithë anëtaret e Shtabit të Përgjithshëm, nga kryeministri e të tjerët, të cilët e dinë se për kohën që akuzohet ka qenë në udhëheqje të operacionit Shigjeta në Shqipëri.

Të akuzuarit janë: Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhemdin Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Shaban Shala, Bislim Shurdhaj, Naser Shala dhe Sabit Shala.

Në ditët në vijim pritet që të konfirmohet apo të anulohet aktakuza ndaj “rastit Kleçka”.

Deputeti Fatmir Limaj apo komandant Çeliku, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, ndërsa tash pritet që të gjykohet për krime që, sipas prokurorive ndërkombëtarë janë kryer në fshatin Kleçkë. /kosovapress/

Avokatët pa qasje në dokumentacionin e akuzës

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka filluar seanca statusore ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili njëherit është edhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe ndaj 9 ish-luftëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për kinse krime të kryera në fshatin Kleçkë gjatë luftës në Kosovës.

Në pjesën e parë të seancës gjyqësore 10 të akuzuarit kanë dëshmuar të dhënat e tyre personale, para se prokurori italian, Maorizio Salustro, të fillojë me paraqitjen e provave.

Avokatët mbrojtës kërkuan nga gjykatësi të shtyhet seanca dhe prokurori t’u mundësojë qasje të plotë në dokumentacionin e akuzës, pasi ata u ankuan se prokurori nuk ka bashkëpunuar me ta gjatë ngritjes së akuzës, dhe për këtë kanë mungesë të dokumentacionit për akuzën.

Prokurori Salustro u ka thënë avokatëve se nuk do të kenë mundësi të kenë qasje të plotë në aktakuzë, sepse ka dëshmitarë të mbrojtur.

Prokurori ka futur si provë dokumente tjera dhe dy intervista si provë materiale, një të ish-komandantit të UÇK-së, Agim Çeku dhe një të ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

Por gjykatësi pritet të vendos në vazhdim të seancës nëse do të konfirmohet aktakuza ndaj të dyshuarve, apo do të shtyhet seanca.

Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhemdin Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Shaban Shala, Bislim Shurdhaj, Naser Shala dhe Sabit Shala.

Deputeti Fatmir Limaj apo komandant Çeliku, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, ndërsa tash pritet që të gjykohet për krime që, sipas prokurorive ndërkombëtarë janë kryer në fshatin Kleçkë.

Çeku e Zyrapi dëshmuan për Limajn

Ende nuk është konfirmuar aktakuza ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish ushtarëve të UÇK-së që ka nisur në ora 10 në Gjykatën e Qarkut.

Sipas IndeksOnline, seanca ka nisur me vërejtjet e avokatëve mbrojtës se nuk kanë pjesë nga dosja e rastit e që prokurori i rastit, Maurizio Salustro është përgjigjur me argumente të tjera.

Para avokatëve janë deponuar edhe dy deklarata të dëshmitarëve, Agim Çeku dhe Bislim Zyrapi që janë intervistuar pas ngritjes së aktakuzës për rastin më 25 korrik. Pjesa e dytë e seancës konfirmuese nis pasdite.

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga avokati Tomë Gashi, sapo është paraqitur në gjykatë, në Prishtinë. Atë e kanë shoqëruar edhe djali i tij, Durimi dhe shefi i kabinetit të tij, Endrit Shala.

Në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës ai paraqitet në seancën e konfirmimit të aktakuzës “për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës”, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Seanca kundër ish-komandantit të UÇK-së, “Çelikut”, është caktuar nga një gjyqtar i EULEX-it për 24, 25 dhe 26 gusht.

Gjatë këtyre seancave, mbrojtja pritet të kërkojë nga gjyqtari që të mos e konfirmojë aktakuzën, ndërsa prokurori Maorizio Salustro do të kërkojë që të konfirmohet ajo. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, gjykimi kundër 10 ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të fillojë në vjeshtë dhe pritet të zgjasë më shumë se dy vjet.

Seanca për konfirmimin e aktakuzës është caktuar të mbahet një muaj pasi që prokurori italian e ka ngritur aktakuzën. Çeliku, i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, tash pritet të gjykohet për krime që, sipas Prokurorisë, janë kryer në Kleçkë.

Bashkë me Limajn në gjykatë pritet të paraqiten edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhajt.

Sipas burimeve të portalit “LajmeShqip”, nëse kjo aktakuzë merr “vizën” për gjykim, gjatë gjykimit Limaj pritet që për dëshmitarë t’i ftojë të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi, transmeton telegrafi.

Fatmir Limaj akuzohet për dhënie të urdhrit dhe pjesëmarrje në torturimin e civilëve shqiptarë e serbë, të paraburgosur në Kleçkë.

Imuniteti i deputetit nuk ndalon që ta thërrasë Limajn në Gjykatë për seancën e konfirmimit të aktakuzës e as për gjykimin e tij, por e mbron nga arrestimi. Në shtator, ndërkaq, pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’i sqarojë dilemat rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›